Apelon Shpend Ahmeti: Kujdes, nuk do të ketë shtretër për t’u shtrirë e mjekë për t’ju mjekuar

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes, të mbajnë maskë dhe t’iu përmbahen rekomandimeve.

Duke e parë që numri i të infektuarve me koronavirus po rritet çdo ditë dhe Prishtina tashmë është shndërruar në vatër të koronavirusit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, iu ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe t’iu përmbahen të gjitha rekomandimeve të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministrisë së Shëndetësisë,.

Ahmeti ka thënë se këtë adresim po e bën si qytetar e familjar dhe jo si kryetar i Prishtinës.

“Nënën e kam 72 vjeçare dhe nuk dua ta rrezikoj. Kam parë shumë raste të rënda për ta kaluar si hajgare. Prandaj sonte nuk po ju flas si kryetar komune por si qytetar e familjar. Këto rekomandime të thjeshta nuk janë të vështira. Përndryshe s’ka shtet në botë që do ta ndalte përhapjen!”, ka shkruar ndër të tjerash Ahmeti.

Ai ka thënë se mund të vij momenti që qytetarët nuk do të kenë as shtretër për t’u shtrirë e as për t’u mjekuar.

Ja postimi i plotë i Ahmetit, pa ndërhyrje:

Gjatë këtyre muajve të pandemisë kam takuar qindra njerëz, kam qenë në kontakt me mjekë, e në lagjet me infeksion. Gjasat për ta marr virusin kanë qenë të larta. Por, kam përcjellur rekomandimet e mjekëve në maksimum. Masken, jo kontakte fizike dhe larje e dezinfektim të rregullt të duarve.

Fatmirësisht, deri më tani nuk e kam virusin. Por meqë numri i njerëzve që njoh me virus është shtuar gjasat janë që të infektohem.

Deri atëherë do ta luftoj me gjana të thjeshta. Maskë, distancë e larje e dezinfektim.

Nanën e kam 72 vjeçare dhe nuk dua ta rrezikoj. Kam parë shumë raste të rënda për ta kaluar si hajgare.

Prandaj sonte nuk po ju flas si kryetar komune por si qytetar e familjar. Këto rekomandime të thjeshta nuk janë të vështira. Përndryshe ska shtet në botë që do ta ndalte përhapjen!

Kujdes! Mund të vërshohemi nga rastet. Pastaj komplikimet e thjeshta mund të bëhen fatale. Thjeshtë, nuk do të krevate për tu shtrirë e mjekë për të ju mjekuar.