Dallavere me bileta avioni

Dallavere për hava me bileta të aeroplanëve.

Institucionet e Kosovës kanë paguar mbi një milion euro për më shumë se 2,200 bileta avioni, pa pranuar nga kontraktuesi dëshmi të besueshme që tregojnë nëse çmimi i tyre ishte real, ose nëse biletat ishin shfrytëzuar vërtet ose jo. Është bërë kjo në kundërshtim me kontratën për shërbime të transportit ajror që Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) e ka me kompaninë “Malësia Reisen”.

Bazuar në kontratë, e cila ka nisur të realizohet që nga dhjetori i 2018-s, për secilën biletë fituesi i tenderit merr vetëm shumën për shërbim në vlerë 3 euro, dhe nuk mund ta shesë tek institucionet më shtrenjtë sesa që e blen prej aviokompanive. Për ta dëshmuar çmimin me të cilin është blerë secila biletë, kontrata e obligonte operatorin që për çdo muaj ta dërgonte një kopje të raportit të nxjerrë nga BSP (Billing and Settlement Plan), sistem ky ndërkombëtar që tregon çmimin real të shitjes së biletës, shkruan KOHA Ditore.

Raportet mujore të sistemit BSP që “Malësia Reisen” i ka përcjellë në AQP për periudhën dhjetor 2018 – korrik 2020 përmbajnë 2,266 bileta më pak, krahasuar me numrin prej 8,476 biletash për të cilat institucionet kanë bërë pagesa, në bazë të një raporti tjetër të hartuar dhe ofruar nga e njëjta kompani. Ky numër është nxjerrë pas krahasimit manual që KOHA i ka bërë secilës biletë të listuar në të dyja raportet.

Një dallim i këtillë ndodhet, ani se “Malësia Reisen” në një përgjigje të dhënë në muajin shkurt, kishte theksuar se për secilën biletë e posedon edhe dëshminë nga sistemi BSP.

“Varësisht nga kërkesat e institucioneve, te shumica e biletave ne së bashku me faturën i kemi dorëzuar edhe BSP-në. Disa nga institucionet e kanë kërkuar dëshminë nga sistemi Amadeus, dhe për këtë arsye nuk i kemi ngarkuar edhe me BSP-në. Është dorëzuar fatura, konfirmimi i emailit, konfirmimi i udhëtimit dhe bileta”, thuhet në përgjigjen e kompanisë. “Mirëpo, për çdo biletë e kemi edhe raportin e BSP-së”.

Pas kësaj përgjigjeje KOHA ka kërkuar dëshmi që e mbështesin këtë pohim. Kompanisë që të gjitha institucioneve u ofron shërbimin e transportit ajror, i janë kërkuar raportet sipas sistemit BSP për të gjitha biletat që i ka lëshuar në kuadër të kontratës me AQP-në. Kanë kaluar gjashtë muaj dhe, ndonëse kërkesa i është përsëritur, pohimet nuk janë mbështetur me dokumente.

Ndërkaq, ndryshe nga gjysmëviti më parë, të mërkurën, në një përgjigje të shkurtër, “Malësia Reisen” ka thënë se nuk i ka raportet nga sistemi BSP për të gjitha biletat. Por, ka dhënë një justifikim për këtë.