Edi Rama publikon fotografi nga takimi me Isa Mustafën: I nderuar nga mikpritja

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë, ka vazhduar takimet me liderët e partive politike në Kosovë.

Gjatë ditës, Rama është takuar me kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Takimi me Mustafën është zhvilluar në shtëpinë e këtij të fundit në Prapashticë.

Kryeministri shqiptar ka publikuar fotografi nga takimi me Mustafën. Rama ka thënë se ndihet i nderuar nga mikpritja në shtëpinë e Mustafës.

“NË PRISHTINË – Me kryetarin e LDK, Isa Mustafa, i nderuar nga mikpritja në shtëpi ku mu dha rasti të njoh edhe familjen e tij të bukur”, ka shkruar Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot përfundon vizitën e tij zyrtare në Kosovë pasi u takua me liderët shtetëror dhe partiak.

Në mes të orës 13 dhe 14:00 Rama pritet të mbajë një konferencë për media ku do t’i drejtohet popullit të Kosovës.

Rama ka thënë se në Kosovë ka ardhur për të mësuar më shumë rreth aktakuzave të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.