Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë: Duam rritje pagash, në të kundërtën marrim masa radikale pavarësisht situatës

Sindikata e mjekëve vazhdon të kërkojë rritje pagash.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka kërkuar rritje të pagave për punëtorët shëndetësorë, në të kundërtën ai ka paralajmëruar masa radikale.

Syla ka thënë se do ta takojnë kryeministrin Avdullah Hoti për ta sqaruar situatën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku ka shpallur të pavlefshëm vendimin për Ligjin e Pagave.

“Vendim dëshpërues, për hapat e mëtutjeshëm jemi mbledhur sonte. Federata ka marrë vendim që t’i drejtohet kryeministrit që të sqarojë situatën, sepse punëtori shëndetësor sot është në situatën më të rëndë më të vështirë ekonomike, jo vetëm gjatë pandemisë po ndër vite. Përfundimisht është zbeh vullneti për punë, kërkesa jonë do të jetë për rritje pagave, në sektorin e shëndetësisë sepse më nuk kemi kohë të presim ligjin. Është kërkesë e jona që të kemi rritje paga, në të kundërtën do të marrim masa. Është për të ardhur keq se si Gjykata i dëshpëron 72 mijë punëtorë shëndetësorë”, deklaroi ai para mediave.

Syla tha se dita e hënë mund t’i nxjerr punëtorët shëndetësor në reagime të ashpra.

“Do të kalojmë në masa radikale pavarësisht situatës”, theksoi ai.

Ndryshe, sot gjatë ditës Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës, dhe vet Kuvendin.