Pezullimi i Ligjit për Paga, ja kur vendosin sindikatat për hapat e mëtutjeshëm

Pezullimi i Ligjit për Paga, sindikatat vendosin gjatë ditës së nesërme për hapat e mëtutjeshëm.

Mbi 60 mijë punëtorë kanë mbetur të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli të pavlefshëm Ligjin për Paga.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari tha se lajmin për pezullimin e Ligjit për Paga e kanë pritur keq dhe se menjëherë janë mobilizuar për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm.
Ai bëri të ditur se nesër të gjitha sindikatat do të mblidhen dhe do të mbajnë një takim urgjent dhe më pas do të dalin me një njoftim zyrtar për media.

“Jo vetëm SBASHK-u, por në kontakte edhe të Sindikatave të tjera, siç janë e Shëndetësisë, Policisë, Doganave dhe të tjerave e kemi pritur shumë keq këtë vendim. Pas takimeve që kemi pasur me Avokatin e Popullit kemi qenë të bindur që Gjykata Kushtetuese do t’i thotë PO këtij Ligji, duke i rishikuar disa nene. Ky është një lajm tepër i keq për neve. Opinioni e di që ne për këtë kemi pasur edhe greva. Besoj që nesër të gjitha Sindikatat do të ulemi nesër dhe do të vendosim. Jemi në një situatë tepër të vështirë, duke pasur parasysh edhe situatën me pandemi dhe Gjykata Speciale, por duhet të shohim”, tha ai.

Jashari tha se vendimet e Kushtetuses mbeten të pakontestueshme, por që do të bëjnë trysni mbi qeverinë për të rishqyrtuar edhe një herë këtë ligj.

“Kam frikën që do të tensionohet situata dhe kam frikën që shtatori do të jetë me plotë telashe, pavarësisht që ndaj Kushtetueses nuk mund të reagojmë, por kërkojmë nga qeveria që të marrin masat dhe të dëgjojnë zërin tonë”, tha ai për KP.

Ai dyshon se e gjithë kjo është një lojë politike, duke keqpërdorur situatën e krijuar nga pandemia.