Presidenti Thaҫi flet pas ngritjes së aktakuzës: Jap dorëheqje menjëherë nëse aktakuza konfirmohet

Presidenti i Kosovës ka thënë se jep dorëheqje mënjëherë nëse aktakuza konfirmohet.

Presidenti Hashim Thaçi i është adresuar opinionit përmes një videomesazhi pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Gjykata Speciale.

Thaçi ka thënë se mund të ketë bërë gabime politike, por kurrë nuk ka bërë vepra të rënda lufte.

“Gabime politike kam bërë, por vepra të rënda lufte asnjëherë. Edhe po të kthehesha prapa në kohën e zezë të Millosheviqit do të bëja të njëjtën gjë”, ka deklaruar ai.

Thaçi ka thënë se pafajësia do të dalë mbi plehun e akuzave edhe në rastin tim dhe vëllait tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.

“Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për kr.ime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli”, tha ai.