Rama, kryemivistrit Hoti: Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është takuar sot me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Me këtë rast, kryeministri Hoti e falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen e përhershme që Shqipëria i ka dhënë Kosovës.

Duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë që ta thellojnë bashkëpunimin edhe më tej, kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës e konsideron natyrshëm Shqipërinë si partnerin më të afërt dhe strategjik në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.

Ndërkaq, duke folur për gjendjen e re të krijuar në vend, kryeministri Hoti ritheksoi se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla, që natyrisht nuk janë të lehta.

Po ashtu, kryeministri Hoti ritheksoi se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.

Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Kryeministri Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.

Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.