Shifra alarmante e të prekurve me koronavirus: QKUK hap edhe dy klinika të tjera për pacientet me Covid-19

Shifra alarmante: QKUK hap edhe dy klinika të tjera për pacientet me Covid-19 si dhe shton shtretërit në Mjekësinë Sportive.

QKUK’ja ka nisur që të vëjë në dispozicion edhe klinika të tjera për t’i shtrirë pacientët e prekur me Covid-19. Tashmë përveç Dermatologjisë, Pulmologjisë e Mjekësisë Sportive, do të hapen edhe Neurologjia e Psikiatria. Të dy këto klinika do t’i kenë në dispozicion nga 70 shtretër.

Nga numri i madh i rasteve me Covid-19 në Mjekësinë Sportive do të dërgohen plus 50 shtretër të tjerë. E gjendja në QKUK po konsiderohet alarmante nga shifrat e fundit të të prekurve me Covid-19.

“Neurologjia dhe Psikiatria do të hapen. Këto të dyja kanë në dispozicion nga 70 shtretër që i bie në total 140 shtretër. Mjekësia sportive pritet që t’i zgjerojë kapacitetet edhe me 50 shtretër të tjerë”, ka thënë për Gazetën Express, Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës.