Zotohet Hoti: Në Kosovë nuk do të ketë asnjëherë një Asociacion me kompetenca ekzekutive

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bashkëpunim të plotë rreth dialogut me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovë me titull “Platformës së shoqërisë civile për dialog”, tregoi të arriturat e dialogut deri më tani si dhe marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të presidentit amerikan Donald Trump.

Në këtë fjalim të tij, Hoti bëri të ditur se në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk kanë bashkëpunim të ngushtë, por siç theksoi ai, bashkëpunim të plotë.

“Bashkëpunimi në mes SHBA-ve dhe BE-së nuk është i ngushtë por është i plotë në procesin e dialogut. Pra nuk është i ngushtë por ky bashkëpunim është i plotë në këtë proces dhe me këtë duhet të ulen të gjitha dilemat rreth kësaj çështje”, deklaroi Hoti.

Sipas tij, qasja serioze e tij dhe e qeverisë që ai drejton në lidhje me dialogun me Serbinë, ku qëllimi i vetëm dhe kryesor është arritja e marrëveshjes përfundimtare, pra njohja reciproke, ka bërë që të ketë një përfshirje më aktive të SHBA-ve në këtë proces.

“Unë besoj se kjo qasje e jona që është serioze edhe pragmatike sepse kur e bazon dialogun në parime të qarta nuk ke arsye pse të refuzosh e të kesh frikë që të ulesh me palën serbe. Kjo lloj qasje ka ndikuar që të kemi një përfshirje amerikane shumë më aktive në këtë proces. Ajo që ka ndodhur në Uashington nuk është asgjë e papritur sepse qysh në qershor është folur për një takim në Shtëpinë e Bardhë atëherë kur nuk ka qenë as fillimi i dialogut”, theksoi Hoti.