Aksion para Qeverisë: Punët në shtëpi po izolojnë gratë, janë nënçmuar gjithnjë dhe nuk njihen si punë

Shpërndaje

Punët në shtëpi po izolojnë gratë, janë nënçmuar gjithnjë dhe nuk njihen si punë.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA organizoi aksion simbolik për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ndërsa u tha se punët e papaguara po izolojnë gratë brenda shtëpisë.

Jonida Molliqaj nga kjo qendër tha se gatimi, pastrimi e hekurosja grave ua marrin shumicën e kohës gjatë ditës, duke qenë shpesh të varura ekonomikisht nga burrat.

“Krejt kjo punë e madhe që bëjnë gratë shihet si obligim i natyrshëm i grave”, tha ajo, duke shtuar koha që gratë shpenzojnë në këto punë është po thuajse ekuivalente e një pune me orar të plotë.

Ajo më tej tha se gratë që ishin të punësuar gjatë pandemisë punonin dyfish, ndërsa shumicës tjetër që ishin të papuna iu shtuan edhe më tej obligimi i kujdesit ndaj anëtarëve tjerë të familjes.

“…Edhe para pandemisë gratë kanë kaluar tre herë më shumë orë sesa burrat në punët e shtëpisë. Punët e shtëpisë janë nënçmuar gjithnjë dhe nuk njihen si punë. Gratë lëre më që po shfrytëzohen por as nuk iu vlerësohet angazhimi”, tha Molliqaj.

Sipas saj, edhe në ndarjen e pasurisë, gratë si te baba, ashtu edhe te burri konsiderohen si të huaja.

“Duhet të njihet kontributi i grave brenda shtëpisë, në atë mënyrë që puna të ndahet barabartë. Duke qenë gjithë ditën në kuzhinë apo duke pastruar të palarat e të tjerëve gratë nuk po arrijnë të shohin mundësinë e angazhimit në jetën shoqërore”, tha ajo.

Sipas saj, punët e papaguara po izolojnë gratë brenda shtëpisë dhe kjo duhet të ndryshojë.

“Gratë duhet të lirohen nga shtypja brenda dhe jashtë shtëpisë”, u shpreh më tej Molliqaj.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip