Alarm në Kosovë: Vala e tretë e COVID-19 ka filluar në Kosovë

Shpërndaje

Alarmimi i Valbon Krasniqit dhe infektologëve të tjerë: Vala e tretë e COVID-19 ka filluar në Kosovë.

Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me virusin SARS-CoV-2, infektologë në vend thonë se ka filluar vala e tretë e këtij virusi. Ata presin që kjo valë të mos jetë e përmasave të valës së dytë, derisa e shohin të rëndësishëm vaksinimin e popullsisë për menaxhimin e pandemisë, raporton Gazeta Express.

Vala e tretë e virusit SARS-CoV-2, po vlerësohet të ketë filluar edhe në Kosovë.

Infektologët thonë se vendi së fundmi është duke u ballafaquar me këtë valë të tretë, e cila sipas tyre, ka mundur lehtësisht të evitohet.

Një fazë të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19, e ka paralajmëruar ditë më parë edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai ka thënë se Kosova është në një fazë të re të të infektuarve dhe të shtruarve në institucionet shëndetësore dhe se po bëjnë maksimumin të ofrojnë shërbime mjekësore në mënyrë që asnjë pacient mos të mbetet i pa trajtuar.

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj, ka thënë për Express se Kosova po ballafaqohet me valën e tretë të pandemisë, e cila sipas tij ka mundur të evitohet lehtësisht.

Ai ka thënë se situata epidemiologjike në Kosovë ka qenë shumë e volitshme dhe niveli i imunitetit kolektiv ka qenë në shkallë të kënaqshme për ta mbajtur nën kontroll numrin e rasteve të reja.

“Fatkeqësisht papërgjegjësia e plotë e politikës që rezultoi me shkeljet brutale të masave elementare anti-COVID gjatë fushatës zgjedhore, rezultoi me prishjen e kësaj situate epidemiologjike të volitshme në Kosovë, duke u manifestuar me valën e tretë”, ka thënë ai.

Tolaj është shprehur se beson që kjo valë e tretë nuk do të ketë përmasat e valës së dytë dhe se numri i rasteve të reja me COVID-19 nuk do të jetë i papërballueshëm për sistemin shëndetësor.

Përndryshe, ai ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës e Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, që sipas tij nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe përgjegjësive të tyre gjatë pandemisë, andaj edhe siç ka shtuar ai, ka pasur shumë mangësi në politikat e veprimet anti-COVID.

Në këtë situatë, Tolaj e ka parë të rëndësishëm vaksinimin e qytetarëve, por ka thënë se vaksinimi i një numri të vogël të popullsisë, nuk do të jetë shumë ndikues në ecurinë e pandemisë.

“Vaksinimi i një numri të konsideruar të qytetarëve të Kosovës, me siguri që do ta përmirësonte situatën epidemiologjike dhe do të ndihmonte në krijimin e nivelit të imunitetit kolektiv i cili do të kthente Kosovën në kushte të funksionimit gati normal. Kur e them këtë mendoj për shifrat 300,000 persona të vaksinuar. Vaksinimi në përmasa simbolike, pos efektit mbrojtës për të vaksinuarit, nuk do te jetë shumë ndikues në ecurinë e pandemisë. Fatkeqësisht autoritet e Kosovës kanë dështuar që të sigurojnë vaksina me kohë dhe në numër të mjaftuar”, ka shtuar ai.

Një valë të tretë të COVID-19, tashmë që një kohë e ka paralajmëruar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës.

Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Express, se gjatë konsultave që kanë pasur me mjekët, është thënë se shumë shpejtë Kosova do të jetë para një vale të re të infeksionit.

Ndërsa, ndonëse numri i pacientëve të hospitalizuar me COVID-19 në institucionet publike shëndetësore është rritur, ai ka thënë se gjendja po menaxhohet.

“Duke marrë parasysh konsultat që kemi pasur me kolegët tanë është thënë që shumë shpejtë do të jemi para një vale të re të virusit. Gjatë këtyre ditëve dëmi nga virusi është bërë i madh. Vetëm se e kemi brenda shtëpive në masë infeksionin”, ka thënë ai.

Ndërsa infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë se vendi duhet të intervenojë me vaksina dhe me masa më rigoroze për ta menaxhuar situatën me COVID-19.

Për rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, ai ka thënë se mund të ketë ndikuar edhe varianti i ri anglez i COVID-19 i cili është i pranishëm në vend.

Kujtojmë që gjatë këtij muaji është rritur dukshëm numri i rasteve të infektuara me COVID-19 në vend.

Vetëm më 11 mars, nga testimi i 3 mijë e 621 mostrave, 632 kanë rezultuar pozitive.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip