Çitaku thotë se edhe nesër nëse liberalizohen vizat, është vonë

Kosova është në kërkim të liberalizmit të vizave.

Është “e padrejtë” dhe “johumane” mënyra se si trajtohen qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, thotë ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Vlora Çitaku, duke komentuar faktin që Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor pa lëvizje të lirë në BE.

Çitaku, në kohën kur ka qenë ministre, ka pranuar udhërrëfyesin me kushtet e liberalizimit, për të cilat thotë se ka kohë që janë plotësuar.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se BE-ja, me mosliberalizimin e vizave për Kosovën, është duke e humbur kredibilitetin e saj.

“Është e padrejtë, është johumane mënyra se si trajtohen qytetarët e Republikës së Kosovës në vitin 2022. Para pak ditësh pamë rekomandimin e Komisionit Evropian për t’iu ofruar qytetarëve të Katarit dhe Kuvajtit lëvizjen e lirë në zonën Schengen. Shtetet si Kolumbia dhe Venezuela e të tjerat lëvizin pa viza në zonën Schengen.

E mbaj mend kur kam qenë ministre e Integrimit Evropian, Kosovës i është dhënë udhërrëfyesi për liberalizmin e vizave dhe ai udhërrëfyes ka pasur dyfish më shumë kritere sesa që kanë pasur vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Përkundër përmbushjes së kritereve në fjalë, përkundër rekomandimit të Komisionit Evropian që nga viti 2016 [për liberalizimin e vizave për Kosovën], ne nuk kemi vendim nga institucionet e Bashkimit Evropian për të rekomanduar lirinë e lëvizjes për shtetasit e Kosovës.

Sinqerisht, nuk ka logjikë, nuk ka shpjegim. Është e vërtetë që ka qenë një momentum disa vite më parë, mirëpo ne e humbëm atë për shkak të zvarritjes së procesit të miratimit të demarkacionit [të kufirit] me Malin e Zi. Megjithatë, në fund, detyrimet, obligimet i kemi përmbushur.

Bashkimi Evropian po e vë vetë kredibilitetin e tij në pikëpyetje, duke i mos mbajtur zotimet që ia ka dhënë Kosovës.

Kosova nuk po kërkon lëmoshë, nuk po kërkon favor, nuk po kërkon rrugë të shkurtër. Ne kemi kryer pjesën tonë të punës në vitin 2016 dhe Bashkimi Evropian është i vonuar. Edhe nesër nëse merret vendimi për liberalizimin e vizave, është vonë”, është shprehur Çitaku.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip