Edhe një shtet e pezullon vaksinën që po e pret Kosova

Shpërndaje

Edhe një tjetër shtet e pezullon vaksinën që po e pret Kosova.

Republika Demokratike e Kongos është bërë shteti i fundit që e ka pezulluar përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” kundër sëmundjes Covid-19.

Kjo vaksinë është premtuar se do të vijë në Kosovë gjatë këtij muaji.

Autoritetet në shtetin që shtrihet në pjesën qendrore të Afrikës e pezulluan programin e vaksinimit derisa të publikohen rezultatet e hetimeve rreth dyshimeve për lidhje mes vaksinimit dhe rasteve të mpiksjes së gjakut te disa pacientë.

Republika Demokratike e Kongos kishte planifikuar që ta niste fushatën e vaksinimit të hënën e ardhshme, më 15 mars, pas pranimit të 1.7 milionë dozave të vaksinës. Sidoqoftë, pas pezullimit të procesit, data e re nuk është bërë e ditur.

Ministri kongolez i Shëndetësisë, Eteni Longondo, deklaroi: “Si masë parandaluese, ne vendosëm që ta shtyjmë datën e fillimit të vaksinimit në Republikën Demokratike të Kongos”, shkruan The Guardian.

Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda dhe Tajlanda gjithashtu e kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine, pasi disa persona që u vaksinuan shfaqën shenja të mpiksjes së gjakut. Edhe India deklaroi të shtunën se do të kryejë një hulumtim më të thellë për efektet anësore të vaksinës.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nuk shtë gjetur ndonjë lidhje shkakore mes vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” dhe mpiksjes së gjakut. Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe zyrtarët e prodhuesit britaniko-suedez.

Me këtë vaksinë, e cila do të prodhohet nga Instituti “Serum” në Indi, pritet të furnizohet edhe Kosova, por nuk dihet se kur saktësisht do të arrijnë dozat e para. Këto doza në Kosovë pritet të arrijnë si pjesë e programit COVAX.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip