Fitore totale e kandidatit socialist/ Vangjel Tavo: Sot fituan himariotët, Gjikuria i mirëpritur për nënkryetar
Socialistët morën dhe një fitore tjetër, ndërsa opozitarët humbjen e radhës. Vangjel Tavo është kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, nga vota e hedhur të dielën në zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit. Kandidati socialist ka marrë 5022 vota, ose 58.62% të votave, ndërsa rivali i tij, kandidati i koalicionit bashkë fitojmë, Petro Gjikuria [...]Read More...
Socialistët morën dhe një fitore tjetër, ndërsa opozitarët humbjen e radhës. Vangjel Tavo është kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, nga vota e hedhur të dielën në zgjedhjet e pjesshme të 4 gushtit.
Kandidati socialist ka marrë 5022 vota, ose 58.62% të votave, ndërsa rivali i tij, kandidati i koalicionit bashkë fitojmë, Petro Gjikuria 3545 vota 41.38 për qind.
Diferenca siç edhe e parashikuan socialistët është mbi 1 mijë vota, saktësisht 1477 vota në avantazh të Tavos.
Për fituesit, vend për festë nuk ka, ndërsa Himara që do drejtojë për gati 3 vitet e mbetura, është në kulmin e sezonit turistik.
Për Petro Gjikurinë, vlen ende ftesa për të marrë postin e nënkryetarit të kësaj bashkie.
Mesazhin e urimit Tavo e mori herët në mëngjes dhe nga kryesocialisti Edi Rama, përmes një pjese të takimit të tyre të fundit, të premten e javës që shkoi.
“Me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer Himarën 2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë”.
Opozitarët e paralajmëruan që të dielën humbjen e tyre, duke folur për një proces fars zgjedhor. Bashkia Himara është një bashki më shumë e humbur nga ata, pas fitores që mori Fredi Beleri, në zgjedhjet e 14 majit të vitit të shkuar, por që nuk e ushtroi as edhe një ditë detyrën, për shkak të burgosjes për blerje votash.
Megjithatë, zgjedhjet e së dielës i dhanë fund një konflikti mbi një vjeçar për drejtimin e bashkisë dhe pas dy kryetarësh të komanduar që u ulën përkohësisht në karrigen e kryetarit.