Formulimi interesant për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Një formulim interesant për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Anëtari i Senatit amerikan, Chris Murphy, e ka përdorur një formulim interesant për epilogun final mes Kosovës dhe Serbisë. Në përshkrimin që ka bërë për turin ballkanik të cilin e ka zhvilluar para një jave, Murphy ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje ku e njohin ekzistencën legale të njëra-tjetrës shkruan Gazeta Express.

“Kosova do të dëshironte të anëtarësohej edhe në NATO edhe në Bashkimin Evropian, por që kjo të ndodhë, Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje në të cilën të dyja të njohin ekzistencën legale të shtetit tjetër”, thotë Murphy.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë mendime të ndryshme rreth asaj se si duhet të përfundojë marrëveshja finale Kosovë-Serbi por janë unikë në një pikë se Kosova dhe Serbia duhet të rikthehen në tavolinën e bisedimeve.

Zyrtarët e BE-së kujdesen vazhdimisht që ta përdorin formulimin “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme”, kjo edhe përshkak të statusit neutral që mban BE-ja për Kosovën pasi pesë shtete anëtare s’e njohin pavarësinë e Kosovës.

Kurse zyrtarët amerikanë thonë se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Një gjë të tillë e përsëriti edhe ndihmësja e Sekretarit Blinken, Karen Donfried e cila vizitoi Prishtinën para disa ditësh.

“Besoj se është shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin marrëdhëniet. Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të rezultojë në normalizimin e marrëdhënieve me fokus në njohjen reciproke. Një mekanizëm për ta arritur këtë është një dialog i ndërmjetësuar nga BE. Unë kam folur për këtë në Kosovë dhe kam dëgjuar se ka gatishmëri për t’u angazhuar në atë dialog. Për këtë kam biseduar me Vuçiqin dhe kryeministren. Shpresojmë të bëjmë përparim”, ka thënë Donfried.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip