Haziri: Tash s’ka vend për marrëveshje, votimi i fshehtë do ta zgjedh kryetarin e LDK-së

Shpërndaje

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i ka hedhur poshtë supozimet se ka marrëveshje të fshehtë për emrin e kandidatit që do ta pasojë Isa Mustafën në krye të partisë.

Haziri, që paraprakisht thoshte se s’do të kandidonte nëse do të kishte marrëveshje paraprake për zgjedhjen e kryetarit të ri, tash ka thënë se nuk ka më vend për marrëveshje të tillë, raporton Express.

“Nuk ka [marrëveshje], sigurisht që nuk ka. Kam proklamuar për 10 vite një marrëveshje politike të tranzicionit gjeneratash, gjeneratash politike brenda LDK-së”, ka thënë Haziri dje për Kanal10.

“Në këtë rrafsh unë e shoh që nuk ka më vend për asnjë lloj marrëveshje”, ka shtuar ai.

Haziri ka thënë se këtë herë vullneti i delegatëve të LDK-së që do të shprehet në mënyrë të fshehtë, do ta vendos se kush do ta marrë drejtimin e LDK-së për dy vitet e ardhshme.

“Është votimi i fshehtë, kandidaturat dhe vullneti i delegatëve ai i cili e zbardhë emrin e kandidatit i cili merr më së shumti vota. Ai do ta marrë të drejtën me e udhëheqë LDK-në”, ka thënë Haziri.

Më 14 mars, 335 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre. Atë ditë, siç parasheh statuti, zyrtarisht do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit [Isa Mustafa], mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip