Imri Ahmeti: Ata që s’i dëgjuan qytetarët të mos japin leksione, por të reflektojnë

Shpërndaje

Ahmeti: Ata që s’i dëgjuan qytetarët të mos japin leksione, por të reflektojnë.

Sektetari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka thënë se qëndrimet e zëvendëskryeministrit në detyrë, Driton Selmanaj, nuk e përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të LDK-së.

Ahmeti në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se ka kaluar koha e fshehjes së përgjegjësisë në LDK, ndërsa ka theksuar se kryetari i ri i partisë, Lumir Abdixhiku e ka mbështetjen e plotë të Kryesisë për t’u takuar me Vjosa Osmanin.

“Në Kryesi dje i është dhënë mbështetje e plotë kryetarit Abdixhiku për vazhdimin e bisedimeve. Qëndrimet personale të kujtdo qofshin nuk e përfaqsojnë qëndrimin zyrtar të LDK-së. Praktikat e fshehjes së përgjegjësise kanë kaluar. Mbi të gjitha, është mirë që leksione të mos jepen por të reflektojnë në mbeshtetje per vizionin e ri e të kryetarit Abdixhiku”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se LDK-së tash i duhet t’i dëgjojë qytetarët, ndërsa përsëriti këshillën për ata që sipas tij nuk e bënë këtë.

“Jemi në momentumin politik kur LDK-ja duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ata që vepruan në kundershtim me këtë praktikë duhet të reflektojnë përfundimisht”, u shpreh Ahmeti për Express.

Paraprakisht, edhe nënkryetari i LDK-së, Anton Quni i regoi Driton Selmanajt, i cili e kritikoi qasjen e kryetarit të ri të LDK-së për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, zj Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. Dream Team” në krye me Lumirin”, shkroi Quni në Facebook.

Selmanaj ka thënë se vendimi i Abdixhikut për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i bën dëm LDK-së. Sipas tij, LDK-ja rrëzohet edhe më shumë me këto veprime, që, siç thotë ai, ia humbin dinjitetin edhe atyre që në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan për këtë parti.

“Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik. “Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku të premten u takua me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti për të diskutuar lidhur me formimin e institucioneve të reja. Takimi u mbajt për ta diskutuar me theks të veçantë zgjedhjen e presidentit të vendit, post të cilin e synon Osmani, e cila doli nga LDK-ja pasi u shkarkua nga të gjitha pozitat udhëheqëse në parti, për t’i fituar më pas zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në të cilat garoi së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë ish-rivalit të saj politik, Albin Kurti.

Pas këtij takimi, Abdixhiku tha se do të kërkojë takim vetëm me Osmanin, të cilës i nevojitet mbështetja e ish-partisë së saj për ta marrë pozitën e shefes së shtetit, pasi që dy partitë tjera opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja, janë deklaruar hapur se nuk do ta bëjnë këtë. Ideja e Abdixhikut dje mori edhe miratimin e anëtarëve të Kryesisë së re të partisë, jashtë së cilës u la Driton Selmanaj dhe zyrtarë të vjetër të partisë, të cilët konsideroheshin si ‘armiqtë’ më të mëdhenj të Osmanit dhe fajtorë për rezultatin më të dobët ndonjëherë që partia e mori nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip