Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli: “Duhen 120 vota në kuti për presidentin”

Shpërndaje

“Duhen 120 vota në kuti për presidentin”, ky është interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli.

Durim Berisha, ish-këshilltari i Albin Kurtit, ka folur rreth komenteve për kuorumin dhe votat e nevojshme në seancën kur zgjidhet presidenti. Ai, në një intervistë për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, ka sqaruar çështjen se sa vota duhen në kuti ditë kur votohet për president të Kosovës në Kuvend.

Durim Berisha ka thënë që bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Pacolli kërkohet votimi i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese në vendimin e lartpërmendur ka obliguar të gjithë deputetet që të votojnë. Gjyqtarët që kanë votuar për këtë vendim kanë pasur pritje se deputetët do të përfillin vendimin e tyre edhe pa parashikuar pasoja për ta. Pra Gjykata nuk kërkon 80 vota në kuti të votimit, por ajo kërkon të gjitha votat e deputetëve, sepse sipas vendimit në rastin Pacolli (paragrafi 85 dhe 86 i vendimit) „të gjithë deputetet duhet të votojnë“. Prandaj Gjykata ka ngatërruar konceptin e kuorumit dhe votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit, sepse ajo ka vendosur një kriter iluzor të 120 deputetëve pjesëmarrës në votim dhe ka tejkaluar madje edhe atë që përmendet në publik se duhet qenë 80 deputet që marrin pjesë në votim”, ka thënë ish-këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, për Gazetën Online Reporteri.

Por, çfarë thotë paragrafët 85 dhe 86 të aktgjykimit të Kushtetueses në rastin Rastin Nr. KO 29/11 (i njohur si rasti Pacolli), të cilit i referohet Berisha kur thotë se duhet të votojnë të gjithë 120 deputetët e Kuvendit?

Në këto dy paragrafe Gjykata Kushtetuese ka thënë se neni 86.4 i Kushtetueses siguron që Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Sipas Kushtetueses kjo do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë.

“Lidhur me këtë, Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 86-4 i Kushtetutës siguron se Presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e “votave të të gjithë deputetëve” të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputete të cilët kanë marr leje nga Kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose më shumë vota nga votat e të gjithë deputetëve (në raundin e parë dhe të dytë) do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihen dy të tretat e shumicës, mbahet raundi i tretë. Neni 27 i Ligjit për deputetë dhe neni 27-4 i Rregullores së punës se Kuvendit, përmban formulim identik të fjalëve: “dy te tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, thuhet në paragrafin 85 të aktgjykimit e vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese për rastin Pacolli, shkruan Reporteri.

Ndërkaq në paragrafin 86, Kushtetuesja tregon arsyen se pse kushti i nenit 86 nuk u plotësua në rastin e zgjedhjes jo-kushtetuese të Pacollit President.

“Nga procesverbali i seancës se jashtëzakonshme, mbajtur më 22 shkurt 2011. shihet se para se të fillonte votimi, fillimisht ishin të pranishëm 81 deputete. Megjithatë, kur votimi filloi, vetëm 67 deputetë ishin të pranishëm dhe morën pjesë në votim, ndërsa deputetet e tjerë ishin larguar nga salla e Kuvendit. Kushti i nenit 86, që të gjithë deputetët duhet të votojnë, megjithatë nuk u plotësua. Për më tepër, raundi i dytë i votimit ndodhi në rrethana të njëjta, ndërsa në raundin e tretë, z. Behgjet Pacolli, kandidati i vetëm i nominuar, u zgjodh President i Kosovës me 62 vota nga 67 vota”, thuhet në aktgjykimin e rastit Nr. KO 29/11 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Por, ndryshe nga Berisha dhe ky aktgjykim, së fundi, po mendon Enver Hasani, që kur u nxor aktgjykimi për rastin Pacolli ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, e cila e nxori këtë aktgjykim.

Sipas Hasanit, në kuti të votimit duhen vetëm 80 vota.

“Nëse kandidati nuk i merr 80 vota pro, shkohet në raundin e dytë. Por nëse nuk janë 80 vota në kuti [kuorumi i 2/3 së deputetëve], procesi nuk vazhdon dhe brenda 60 ditëve nëse nuk vjen në rend ditë zgjedhja e presidentit përsëri, shkohet në zgjedhje”, tha të mërkurën, Enver Hasani në një intervistë televizive.

Kujtojmë që 22 marsi është dita kur mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit, që është edhe hapi i parë në formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

E për president të vendit në garë është Vjosa Osmani, e cila është e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit që është edhe fituesja e zgjedhjeve.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip