Kryeministri kroat takohet me Zelenksyn në Kiev

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq ka arritur në Kiev për të zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denis Shmihal dhe kryetarin e “Verkhovna Rada”, Ruslan Stefanchuk.

Qeveria kroate ka publikuar imazhe teksa Plenkoviq shihet duke u pritur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman dhe Zvonimir Frka-Peteshiq, shef i kabinetit të kryeministrit.

“Kroacia e di se si është të jesh nën agresion ushtarak dhe vazhdon të ofrojë mbështetje politike, diplomatike, financiare, humanitare, teknike dhe çdo mbështetje tjetër të mundshme për Ukrainën, si dhe ndihmë për t’u kujdesur për refugjatët ukrainas”, njoftoi qeveria kroate, raporton index.hr.

Në takime, lidershipi shtetëror ukrainas do ta informojë kryeministrin kroat për pasojat e shkatërrimit të shkaktuar nga sulmet ruse, si dhe do të diskutohet për ndihmën e mëtejshme dhe vazhdimin e rrugës evropiane të Ukrainës.

“Vizita e kryeministrit në Ukrainë po zhvillohet në prag të Ditës së Evropës dhe është një shprehje solidariteti dhe mbështetjeje për autoritetet e popullin ukrainas, të cilët janë viktima të agresionit brutal rus”, thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Para pushtimit ushtarak, kryeministri kroat bëri një vizitë zyrtare në Ukrainë në dhjetor të vitit 2021 dhe mori pjesë në një samit të Platformës së Krimesë me liderët e BE-së në muajin gusht të 2021.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip