Kryeministri Kurti: Liria e popujve po rrezikohet sot edhe në Ballkan

Kurti: Liria e popujve po rrezikohet sot edhe në Ballkan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në ditën e lindjes së tij.

Kurti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Kastrioti është ikona e identiteti shqiptar e simbol i gjallërisë së kombit e dëshirës për liri.

Kryeministri ka përmendur edhe luftën e UÇK-së si një demonstrim i asaj që kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare, pavarësisht fuqisë së pushtuesit.

Ai ka shtuar se edhe në këtë dekadë të dytë të shekullit XXI, liria e popujve po rrezikohet.

“Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Postimi i plotë i kryeministrit:

Sot shënojmë ditën e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri!

Flamuri i kombit tonë mban edhe sot me krenari simbolikën e tij. Skënderbeu është dëshmia jonë historike për tërë botën se liria është vlera më e rëndësishme e njeriut dhe e popullit. Kur liria cenohet, populli hidhet në luftë çlirimtare me gjithçka ka, paçka fuqisë më të madhe të pushtuesit. Këtë e dëshmuan në shek. XX përpjekjet e kombit shqiptar për çlirim e bashkim kombëtar, veçanërisht epopeja e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për fat të keq, liria e popujve po rrezikohet sërish në dekadën e dytë të shek. XXI, në një kohë kur dukej se aspiratat për paqen dhe begatinë afatgjatë të kontinentit po bëheshin realitet. Rreziqet ndaj lirisë dhe sovranitetit popullor nuk mungojnë as në rajonin tonë. Prandaj, kujtesa jonë për Skënderbeun, si mbrojtës së lirisë së popullit të tij dhe i Perëndimit në kushtet e shek. XV është aktuale dhe frymëzon veprimtarinë tonë shtetërore e politike.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip