22 pacientë me koronavirus në gjendje të rëndë

Gjatë së premtës janë shënuar 205 raste të reja me korona virus, në MSH thonë se ka ngarkesë në institucionet shëndetësore.

301 pacientë pozitiv me Covid 19, janë duke marrë trajtim nëpër insititucionet shëndetësore publike në Kosovë.

Në raportit e së shtunës të Shërbimit Spitalor, Klinik e Universitar të Kosovës, thuhet se 184 prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.

Numri i vdekjeve në vend si pasojë e Covid 19, ka shkuar në 97.

Mes tyre, të premten ka ndërruar jetë edhe një 21 vjeçare nënë lehonë, e konfirmuar me Covid 19.

Pas lindjes me prerje cezariane, lehona nga komuna e Podujeva njëjta ka vdekur.

Ndërkohë gjatë së premtes, në vend janë shënuar 205 raste të reja pozitive me Covid 19.

Bashkë me këto raste, totali i personave të infektuar me virusin Korona në Kosovë ka shkuar në 4512.

Se do të ketë vështirësi në përballimin e kësaj situate e thonë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri pohon se shtimi i rasteve ka krijuar ngarkesë për institucionet shëndetësore.

Hoti kërkon që bizneset e qytetarët të respektojnë masat e rekomandimet e IKSHPK-së.

Po ashtu gjatë së shtunës, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka bërë sërish thirrje për bartje të maskave.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook, iu është drejtuar qytetarëve duke iu thënë se janë ata që nuk po respektojnë masat anticovid.