BE-ja i mban të mbyllur kufijtë për kosovarët, lejohet hyrja vetëm për këta persona

Kufijtë e BE-së mbesin të mbyllur për kosovarët.

Shkaku i pandemisë, kufijtë e BE-së do të vazhdojnë të jenë të mbyllur për kosovarët që kanë viza, edhe pas rishikimit të listës së vendeve të treta, që është ndërmarrë në fillim të javës.

Një burim brenda Këshillit Evropian i ka dhënë KOHËS se gjatë rishikimit, lista nuk ka pësuar ndonjë ndryshim.

“Rishikimi i listës së vendeve të treta, qytetarët e të cilave mund të udhëtojnë në vendet e treta, është kryer në fillim të javës dhe ajo ka mbetur e tillë (pra, nuk ka pasur ndryshime)”, ka thënë ky burim.

Këshilli Evropian ishte pajtuar që nga 1 korriku ta nisë heqjen graduale të kufizimeve në udhëtim, të vëna shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, për banorët e disa prej shteteve të treta. Lista, e nxjerrë nga Këshilli më 30 qershor rishikohet për çdo dy javë.

Rekomandimet e Këshillit megjithatë nuk janë instrument obligativ, pasi që autoritetet e shteteve anëtare mbesin përgjegjës për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Shkaku i pandemisë së koronavirusit, Bashkimi Evropian kishte mbyllur kufijtë për shumë vende të treta.

Kufijtë e brendshëm të bllokut evropian, pra ato mes shteteve anëtare ndërkaq ishin rihapur prej 15 qershorit.

Kufizimet nuk vlejnë për ata që kanë vendbanim në shtetet e Bashkimit Evropian, për disa kategori tjera si mjekët, studentët, diplomatët apo shoferët.