Hoti e Bajrami flasin në lidhje me buxhetin: Kemi bërë veprimin kryesor drejt programit të rimëkëmbjes ekonomike

Hoti dhe Bajrami kanë thënë se kanë bërë veprimin kryesor drejt programit të rimëkëmbjes ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministren e Financave, Hykmete Bajrami, pas mbledhjes së qeverisë, kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë folur për miratimin e Projektligjit për plotësimin e Ligjit të buxhetit për ndarjet buxhetore për vitin 2020.

Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se është bërë veprimi kryesor drejt fillimit të zbatimit të programit qeverisës për rimëkëmbje ekonomike.
Kryeministri Hoti e falënderoi ministren e Financave, zëvendësministrin Krasniqi dhe të gjithë stafin e Ministrisë së Financave për një punë të madhe për t’i mobilizuar mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si rezultat i pandemisë nga mungesa e aktivitetit ekonomik dhe gjithashtu për të krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike të Republikës së Kosovës në shumë prej 385 milionë eurosh.

“Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë këtyre muajve për shkak të pandemisë. Ky fond do të ndahet tash për masat për rimëkëmbje ekonomike, që e kemi pjesë të programit qeverisës, që është votuar në mbledhjen e parë të qeverisë”, tha kryeministri Hoti.

Fjala e plotë e kryeministrit Avdullah Hoti:

Ju përshëndes të gjithëve,

Pas mbledhjes së qeverisë, ku votuam Projektligjin për plotësimin e Ligjit të buxhetit për ndarjet buxhetore për 2020, besoj se kemi vendosur gurin kryesor, e kemi bërë veprimin kryesore drejt fillimit të zbatimit të programit tonë për rimëkëmbje ekonomike. Dëshiroj edhe një herë të falënderoj ministren e Financave, zëvendësministrin Krasniqi dhe të gjithë stafin e Ministrisë së Financave për një punë vërtet të madhe, sepse është dashur t’i mobilizojnë mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si rezultat i pandemisë nga mungesa e aktivitetit ekonomik dhe gjithashtu për të krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike të Republikës së Kosovës në shumë prej 385 milionë eurosh.

Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë këtyre muajve për shkak të pandemisë. Ky fond do të ndahet tash për masat për rimëkëmbje ekonomike që e kemi pjesë të programit qeverisës, që është votuar në mbledhjen e parë të qeverisë, masat që mbështesin sektorin privat, që mbështesin qytetarët, ndërmarrjet private, që subvencionojnë pagat, subvencionojnë normën e interesit dhe gjithë lista e masave dhe gjithë lista e masave të rimëkëmbjes ekonomike do të përfitojë tani nga ky fond por në konsultim të ngushtë edhe në dizajnimin e mekanizmave për të shpërndarë këtë fond, me odat ekonomike, me shoqatat dhe me grupet të tjera që preken nga masat e rimëkëmbjes ekonomike.

Unë jam shumë me besim të plotë që me mobilizimin e këtyre mjeteve nga burimet tona të brendshme, nga Buxheti i Shtetit, edhe nga mbështetja nga donatorët dhe nga bankat zhvillimore do të arrijmë besoj në një periudhë shumë të shkurtë kohore që të fillojmë zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.

Jo vetëm masat për emergjencë për të mbuluar nevojat që janë shumë më urgjente, por të fillojmë drejt rimëkëmbjes ekonomike, në mënyrë që të kompensojmë ekonominë për ndikimin nga pandemia COVID-19.

Falënderoj edhe një herë ministren e Financave për një punë shumë të madhe në këtë drejtim. Tash Buxheti do t’i dërgohet shumë shpejt Kuvendit të Kosovës për miratim dhe unë lus Kuvendin dhe deputetët që sa më parë të fusin këtë projektligj në procedurat e Kuvendit, në mënyrë që sa më shpejt ligji të hyjë në fuqi dhe ne ta fillojmë zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike.

Dhe, ky është vetëm fillimi. Një program i pasur, shumë më i pasur për zhvillim ekonomik afatgjatë do të prezantohet në vjeshtë të këtij viti dhe unë jam i bindur që kur ta votojmë Buxhetin për vitin 2021 në vjeshtë të këtij viti, ne do të tregojmë saktë se si do të mobilizojmë pjesën tjetër të Fondit 1.2 miliardë euro që do të futet në ekonomi gjatë këtij viti dhe gjatë vitit 2021.

Përgjatë këtij viti deri në vjeshtë ne fusim në ekonomi 385 milionë euro direkt, si ndihmë direkte për biznese dhe për qytetarët për të tejkaluar koston e kësaj pandemie me të cilën jemi përballur, që është më shumë se sa ndikimi negativ që kemi pasur në ekonomi dhe në fakt që parashihet të jetë rreth 4-5 për qind të bruto produktit vendor.

Fjala e ministres së Financave, Hykmete Bajrami:

Ashtu siç e tha kryeministri ne sot aprovuam një buxhet në shumë prej 2 miliardë e 620 milionë euro. Objektivat kryesore të këtij buxheti kanë qenë që fillimisht ta adresojmë rënien e të hyrave prej 232 milionë euro dhe të mobilizojmë fondin për rimëkëmbje ekonomike.

Tani masat e pakos emergjente dhe masave të rimëkëmbjes janë së bashku, janë në një fond dhe aty kemi 385 milionë euro. Jemi detyruar që gjatë rishikimit, në mënyrë që të mobilizojmë të gjitha këto fonde të bëjmë edhe shkurtime, mirëpo kemi qenë të kujdesshëm, sepse nuk kemi larguar nga Buxheti i vitit 2020 as edhe një projekt të vetëm kapital. Por, kemi kursyer vetëm për shkak të dinamikës. Ju e dini që për shkak të pandemisë në këta muajt e fundit nuk kanë filluar as procedurat dhe nuk janë performuar punë të prokurimit publik dhe të tenderëve të ndryshme kështu që kemi pasur nënshpenzim. Ne kemi reflektuar aty dhe kemi kursyer.

Nuk kemi prekur numrin e të punësuarve, ndërkohë që kemi kursyer dukshëm në mallra dhe shërbime dhe kursime të tjera të cilat janë bërë në kategoritë që ne të lëmë mjete të mjaftueshme vetëm sa për funksionimin e organizatave buxhetore.

Ndërkohë, me lejoni t’ju them që nuk kemi prekur aspak buxhetin e komunave të Kosovës, atyre vetëm ua kemi lejuar mundësinë që të akomodojnë të gjitha shpenzimet të cilat i kanë bërë për menaxhimin e pandemisë.

Tani fondi për rimëkëmbje ekonomike, siç e tha kryeministri, do të jetë i gatshëm dhe do të jetë në disponim për t’u disbursuar sipas masave të programit për rimëkëmbje ekonomike që është aprovuar tanimë në qeveri dhe unë shpresoj që ky fond do t’i ndihmojë shumë ekonomisë.

Disa prej mjeteve të cilat janë të destinuara, për shembull sikur ato që janë të destinuara të shkojnë te fondi për garanci kreditore ato ju e dini që do të kenë efekt shumë më të madh sepse efekti multiplikativ i këtyre fondeve është 1 me 4. Do të thotë që nëse ne e kapitalizojmë fondin për garanci kreditore për rreth 100 milionë euro që planifikojmë ta bëjmë një gjë të tillë sipas kërkesës absorbuese të sektorit të bankave dhe sektorit privat, atëherë në llogarisim që brenda një periudhe të shkurtër kohore do të arrijmë që në treg të kemi rreth 400 milionë euro.

Ndërkohë, kemi ruajtur të gjitha projektet kapitale në mënyrë që të dërgohet një sinjal pozitiv te sektori privat se ka punë edhe për këtë vit dhe në fakt nuk do të kemi aspak ndërprerje.

Ne do të kemi masa të tjera, për shembull në program kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve në bujqësi. Gjithashtu kemi paraparë mbushjen e kategorive ekonomike të organizatave buxhetore dhe të nivelet qendror që janë bërë për menaxhimin e pandemisë, masa këto që do të shkojnë komplet në funksion të ekonomisë. Kështu që, natyrisht që kemi kërkuar nga të gjithë kolegët ministra që ata të jenë të kujdesshëm, po edhe të punojnë shumë për shpenzimin e këtij buxheti dhe kemi kërkuar që kjo të bëhet në mënyrën më transparente të mundshme. Ne gjatë implementimit të programit do të kemi partnerë të ngushtë edhe asociacionet e biznesit.