Humb jetën një person në Bërnicë të Prishtinës, mbeti i varur në shtyllën elektrike

Vdes një person në Bërnicë, mbeti i varur në shtyllën elektrike.

Një person ka vdekur në fshatin Bërnicë të Prishtinës, të mërkurën në mbrëmje, në një shtyllë elektrike.

Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, personi kishte mbetur për një kohë në shtyllën elektrike, ndërsa pasi është zbritur në tokë është konstatuar se është pa shenja jete.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i ka thënë se për rastin Policia ishte njoftuar rreth orës 19:30. Ai ka thënë se me këtë rast janë njoftuar edhe ekipet emergjente mjekësore, KEDS-i dhe zjarrfikësit. Ndërkaq, rreth orës 21:00, ai ka njoftuar se personi që kishte mbetur në shtyllë ishte zbritur në tokë, e që “sipas ekipit mjekësor, ai është pa shenja jete”.

“Sot, më 16.09.2020, në ora 19:30, policia është njoftuar se në fshatin Bërnicë -Prishtinë, një person ka mbetur në një shtyllë elektrike. Janë njoftuar edhe ekipet emergjente mjekësore, KEDS-i dhe zjarrfikësit. Policia së bashku me ekipet tjera ende janë në vend-ngjarje. Për informata tjera u njoftojmë me kohë”, ka konfirmuar Krasniqi.

“Para pak çaste, personi që kishte mbetur në shtyllë elektrike, në fshatin Bërnicë, është zbritur në tokë. Sipas ekipit mjekësor, ai është pa shenja jete”, shtoi Krasniqi.