Lajmi i fundit: Mbyllet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, disa zyrtarë me Koronavirus

Mbyllet Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, disa zyrtarë me Covid-19.

Qendra për Regjistrimin e Automjeteve dhe Qendra për pajisje me Dokumente në Prishtinë do të vazhdojnë që të mos ofrojnë shërbim me palë për shkak se në këto dy qendra ka pasur disa raste pozitive me COVID 19.Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve dhe në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 disa zyrtarë të këtyre qendrave. Për shkak të rrezikut nga përhapja e COVID-19, është marr vendim që Qendra për Regjistrimin e Automjeteve dhe Qendra për pajisje me Dokumente në Prishtinë të vazhdojë pezullimin në ofrimin e shërbimeve me pale”, thuhet në njoftim, derisa, bëhet e ditur se deri në përfundimit të testimit të stafit, shërbimet do të jepen në disa qendra tjera.

“Deri në përfundimin e procesit të testimit të stafit të këtyre dy qendrave, të gjitha shërbimet e Regjistrimit të Automjeteve do të bëhen në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve të rajonit 01 në komunat: Fushë Kosovë, Obiliq, Podujevë, Graçanicë, Lipjan dhe Drenas. Gjithashtu, aplikimet e rasteve për pajisje me dokumente mund të bëhen nëpër Qendrat për Pajisje me Dokumente të komunave më të afërta, në përjashtim të rasteve mjekësore dhe tërheqjes së dokumenteve të gatshme, të cilat vazhdojnë të kryhen në QPD-në Prishtinë, ndërsa shërbimet për vula apostile/verifikuese ofrohen vetëm për raste mjekësore dhe emergjente”, thuhet në komunikatë.