Për një javë, 51 persona të vdekur nga koronavirusi në Kosovë

51 persona të vdekur veç këtë javë nga koronavirusi në Kosovë.

Kosova është futur në një krizë të thellë në përballjen e saj me koronavirusin.

Vetëm sot, në vendin tonë u shënuan edhe 224 raste pozitive si dhe nëntë viktima, shkruan lajmi.net.

Në përgjithësi, java që po lëmë pas ka qenë më tragjikja që nga paraqitja e rastit të parë me COVID-19.

Nga e hëna, 27 korrik e deri sot, në Kosovë janë shënuar hiç më pak se 51 viktima.

Të hënën, numri i të vdekurve nga virusi në Kosovë ishte 185, teksa sot ky numër ka arritur në 236.

Si rrjedhojë e situatës, qeveria e Kosovës këtë javë ka ashpërsuar masat kundër përhapjes së virusit, përcjellur dështimin e përmirësimit të situatës nga vendimet paraprake.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar se në Kosovë do të ndërtohet një spital i përkohshëm që do të trajtojë vetëm pacientët e infektuar.

Ndryshe, numri total i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë ka arritur në 8 mijë e 554, 3 mijë e 588 prej të cilave janë ende aktive.