S’ka vendim për policët që rrahën qytetarin para fëmijëve në shesh

Rrahja dhe prangosja e qytetarit nga policia në sytë e fëmijëve ka marrë vemendje të madhe në publik.

Fillimisht ky qytetar u ndalua nga zyrtarët policor për shkak të mos bartjes në mënyrë të duhur të maskës.

Por, Bujar Sjarina thotë se atë e mbajtën peng për një kohë të gjatë, ndonëse sipas tij ky nuk hezitoi t’u përgjigjet kërkesave të tyre.

Më pas Sjarina tha se kishte telefonuar në Inspektoratin Policor të Punës, për t’u ankuar për sjelljet e tyre.

Nga IPK-ja e kishin rekomanduar të njëjtin që t’i marr numrat që policët i mbajnë në uniformë, për të kuptuar se për kë bëhet fjalë.

E duket se këtu ishte edhe zanafilla e gjithë kësaj skene në shesh të kryeqytetit.

Ndërkohë, nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë treguar se ende nuk kanë marr ndonjë vendim për 3 policët që kryen këtë arrestim.

Sipas Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit ekzekutiv Kushtrim Hodaj, ata janë duke i siguruar të gjitha pamjet nga kamerat e sigurisë përreth, për një analizë të mirëfilltë të rastit.

Por, duket se raste kur zyrtarët policor tejkalojnë autorizimet nuk janë të rralla.

Vetëm gjatë periudhës Janar – Shtator të këtij viti, janë arrestuar 15 pjesëtar të policisë, ndërsa është rekomanduar suspendimi i 42 punonjësve policorë.

Pos që po zhvillohen hetime ndaj 3 policëve që arrestuan qytetarin në shesh, Inspektorati Policor i Punës është duke hetuar edhe raste të tjera.