Lansohet Kampanja “Bashkë kundër COVID-19”

Shpërndaje

Në vazhdën e aktiviteteve për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19, është lansuar sot fushata nacionale për informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mirëmbajtjen dhe forcimin e zbatimit të masave parandaluese dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë z. Armend Zemaj, tha se një vit i ballafaqimit me pandeminë na ka shkaktuar shumë vuajtje dhe humbje të gjithëve.” Por, na ka njohur njëkohësisht edhe me anën më të mirë të karakterit njerëzor, atë të solidaritetit me njëri-tjetrin, për t’u bërë më të organizuar, më të fortë dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë, pavarësisht peshës dhe barrës së rëndë shëndetësore, ekonomike e sociale që ka shkaktuar COVID-19”.

Sot, shtoi ai, shpresat janë shumë më të mëdha se dje për t’ia dalë me pandeminë, falë përkushtimit global kundër pandemisë, angazhimit të pashoq të profesionistëve shëndetësor për parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe për të luftuar për jetën e secilit pacient si dhe angazhimit të shërbimeve të tjera dhe përkrahjes e kontributit të donatorëve e partnerëve lokal e ndërkombëtar.

Zëvendës-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z, Jacob Webber, tha se kjo kampanjë vjen në kohën e duhur. “Respektimi i masave mbrojtëse ka çaluar, në veçanti pas kampanjës zgjedhore, ku fatkeqësisht kemi parë grumbullim të qytetarëve pa maska dhe pa distancë. Tani, fatkeqësisht jemi duke parë një rritje të rasteve pozitive të COVID-19. Ne mendojmë se tani është koha për t’i shtrënguar masat dhe presim nga qytetarët një përgjegjshmëri më të madhe në respektimin e këtyre masave”, tha Jacob Webber.
Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së në Kosovë, znj. Ulrika Richardson, tha se ndodhemi në fazë kritike të ballafaqimit me Covid-19, duke shtuar se shpreson që shumë shpejt të vijë në Kosovë vaksina.

“Asnjëherë nuk kemi qenë të përgatitur për këtë virus, sepse ka sjellë tragjedi edhe në botë. Është përgjegjësi e jona të trajtojmë këto brishtësi. Covid ka sjellë vështirësi te të gjithë ne dhe familjet tona…Ne jemi në një fazë kritike të Covidit andaj shpresojmë që vaksina do të arrijë shpejt”, tha Richardson duke shtuar se nuk është koha të relaksohemi, sepse është e rëndësishme mos të rrisim shpërndarjen e virusit.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se fushata ka për qëllim që të rrisë dhe forcojë më tutje vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për pandeminë COVID-19 dhe zbatimin e masave të domosdoshme parandaluese dhe të mbrojtjes personale e institucionale, të cilat ruajnë shëndetin publik dhe shpëtojnë jetë.

Kryeshefi ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, z. Sazan Ibrahimi, tha se komunat do të bashkëpunojnë me pushtetin qendror dhe qytetarët për të zbatuar masat kundër COVID-19 në betejën e përbashkët kundër pandemisë COVID-19.

Dr. Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e zyrës së UNFPA në Kosovë tha se fushata ka për qëllim që të përkrahë institucionet shëndetësore në nivel qendror dhe lokal në përballimin e sfidave të shumta lidhur me pandeminë dhe bashkëjetesën me virusin në një normalitet të ri, duke i respektuar në përpikëri masat parandaluese, si dhe përgatitjen për vaksinimin e popullatës, sapo që vaksina të jetë në dispozicion.

“Këto qëllime fushata do t’i arrijë përmes ofrimit të informatave dhe këshillave të mbështetura në dëshmi shkencore, edukimit dhe promovimit shëndetësorë për të gjithë qytetarët e vendit tonë, pa dallim”, tha ajo.

Fushata “Bashkë kundër COVID-19” financohet nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).

British Embassy Pristina UN Kosovo Team UNFPA Kosovo Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës Asociacioni i Komunave të Kosovës

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip