Lutfi Haziri paralajmëron kthimin e të larguarve nëse bëhet kryetar i LDK-së

Shpërndaje

Haziri thotë se zgjedhjet në LDK përcaktojnë edhe afrimin e të larguarve, ka një mesazh për kundërkandidatët.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e ka shpallur sot zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të partisë.

Në konferencë për media, Haziri ndër tjerash ka thënë se zgjedhjet e brendshme të 15 marsit duhet të jenë edhe zgjedhje për t’i afruar ata që u larguan si të pakënaqur, raporton Express.

“Këto duhet të jenë zgjedhje të LDK-së jo për t’i larguar të tjerët, por për t’i afruar ata që janë dëshpëru dhe ata që janë largu të pakënaqur. Ku njerëzit nuk ndjehen të eliminuar, por bashkohen për të bërë shumë”, ka thënë Haziri.

Kryetari i Gjilanit ka thënë se në klubin e politikbërjes së BE-së s’mund të hyjnë disa persona dhe se ndryshimi i madh në LDK do të ndodhë pashmangshëm.

“Në klubin e politikbërjes së Bashkimit Evropian nuk mund të hyjmë me zhurmagji, ata që kanë probleme me ligjin dhe ata që kanë problem me krimin e organizuar. Po vjen koha për ndryshim dhe ky ndryshim s’ka alternativë. Ka me ndodhë”,ka thënë Haziri.

Ai ka pasur edhe një mesazh për kundërkandidatët që Kuvendin Zgjedhor të LDK-së që mbahet të dielën, ta kthejnë në festë të demokracisë.

“Ofrohem ta japë këtë kontribut bashkë me kolegët e mi që kanë vendos aspiratën e tyre për kandidat që 15 marsin ta kthejmë në festë për demokraci të brendshme ku një lidership i ri do ta rikthente LDK-në aty ku e ka vendin”, ka thënë Haziri.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip