Maqedonci: O’Brien ma konfirmoi se ShBA-ja do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci që ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, pati një takim të mërkurën me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Maqedonci shprehu në një intervistë me Zërin e Amerikës, vlerësimin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara […]

Maqedonci: O’Brien ma konfirmoi se ShBA-ja do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës
maqedonci:-o’brien-ma-konfirmoi-se-shba-ja-do-te-angazhohet-per-integrimin-euro-atlantik-te-kosoves

maqedonci:-o’brien-ma-konfirmoi-se-shba-ja-do-te-angazhohet-per-integrimin-euro-atlantik-te-kosoves

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci që ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, pati një takim të mërkurën me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Maqedonci shprehu në një intervistë me Zërin e Amerikës, vlerësimin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për formimin e shpejtë të Asociacionit, ai tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet si nga Kosova dhe Serbia në tërësi dhe se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

Zëri i Amerikës: Zoti Maqedonci, cilat ishin çështjet kryesore që u ngritën në takimin me zotin O’Brien?

Ejup Maqedonci: Vizitën time zyrtare në Shtetet e Bashkuara sot e fillova me takimin me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë. Do të kem edhe takime të tjera në ditët në vijim. Nesër do të takohem me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes Sasha Baker dhe me zonjën Wallander, e cila është zëvendës ndihmës sekretare për çështjet ndërkombëtare. Në takimin me zotin O’Brien diskutuan për shumë gjëra, për shumë çështje të përbashkëta. Në veçanti, theksuam nevojën e vazhdimit të raporteve të shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe thellimin e këtyre të raporteve. Mora edhe një herë konfirmimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht O’Brien do të angazhohen në mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë integrimet euro-atlantike, programin e partneritetit të paqes dhe programe të tjera rajonale, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rol të veçantë. Sipas Ndihmës Sekretarit të Shtetit O’Brien, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. Zhvillimi i këtyre kapaciteteve është bërë tashmë për disa vite në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë të NATO-s.

Zëri i Amerikës: Siç e dëgjuam edhe nga të rejat e fundit nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit. Si e vlerësoni këtë kërkesë?

Ejup Maqedonci: Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes Kryeministrit Kurti dhe autoriteteve të Serbisë, vlerësojmë dhe kjo është thënë edhe nga Kryeministri, që duhet të zbatohet nga të dyja palët, normalisht. Të gjitha marrëveshjet brenda marrëveshjes kryesore duhet të zbatohen pa përjashtim. Ne vazhdojmë të theksojmë faktin që çdo marrëveshje, që do të nënshkruhet, normalisht që bazë kryesore duhet të ketë kushtetutën e Kosovës. Pra, duhet të jetë e padiskutueshme çështja se do të jenë ato në përputhje me kushtetutën e vendit tonë. Pavarësisht se ky proces u dëmtua rëndë nga sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, qeveria e Kosovës vazhdon ta ketë në fokus dialogun si mjet i vetëm për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme mes dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, sulmi i 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri, nxiti shqetësime për situatën e sigurisë në rajon. Nga pikëpamja juaj si paraqitet kjo situatë aktualisht?

Ejup Maqedonci: Situata e sigurisë në atë zonë tashmë është shumë më e qetë. Ne kemi prani të vazhdueshme të shtetit në atë pjesë, veçanërisht të policisë së Kosovës, e cila në vazhdimësi edhe para sulmit të 24 shtatorit ka qenë e pranishme atje, duke mundësuar jetesën për qytetarët dhe mirëqenien e qytetarëve atje. Por gjithashtu, duke penguar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale dhe terroriste, përfshirë edhe në rrugët ilegale, të cilat janë përdorur nga shumë grupe atje për sjelljen e armatimit ilegal në Kosovë, që u përdor nga grupi i udhëhequr nga Rajdoiçiq në sulmin ndaj institucioneve të vendit tonë. Tani situata është më e qetë. Megjithatë rreziku vazhdon të jetë i pranishëm. Kërcënimi vazhdon të jetë i pranishëm, ndërsa vazhdon qasja hegjemoniste dhe agresive e Republikës së Serbisë në raport me vendin tonë dhe për aq sa vazhdon militarizimi i Serbisë, duke përfshirë edhe blerjet nga Kina dhe Rusia, që janë blerje të vazhdueshme që Serbia është duke realizuar. Por edhe duke pasur parasysh militarizimin e pjesës kufitare me Kosovën, ku Serbia tashmë ka të vendosura 48 baza të përparme operacionale.

Zëri i Amerikës: A pati pasoja tek Forca e Sigurisë përjashtimi i Kosovës nga Defender Europe 2023?

Ejup Maqedonci: Pavarësisht dëmtimit të imazhit me largimin nga “Defender Europe 23”, më saktësisht mund të them me pezullimin e ditës së vizitorëve të shquar, sepse gjithë procesi i trajnimit, të gjitha objektivat e “Defender Europe 23” të realizuar në Kosovë janë arritur. Ne kemi vazhduar edhe pas pezullimit bashkëpunimin me ekipet ushtarake amerikane për të validuar kapacitetet tona që kanë qenë të angazhuara në këtë ushtrim. Pra ushtrimi “Defender Europe 23” ka përfunduar me sukses pavarësisht pezullimit të ditës, që ka qenë pezullimi i ditës së vizitorëve të shquar, që është normalisht një aktivitet i rëndësishëm. Mirëpo me të vërtetë në përmbajtje nuk është dëmtuara fare.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në të paktën dy raste pas 24 shtatorit ritheksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, duke iu referuar një marrëveshjeje me NATO-n. A e lë pa ndonjë rol në veri Forcën tuaj një gjë e tillë?

Ejup Maqedonci: Në fakt ka qenë zotimi i vitit 2013 për mospërfshirje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacione në veri të territorit të Kosovës, zotim i cili respektohet nga të gjithë ne sot. Normalisht, është çështje tjetër a pajtohemi apo nuk pajtohemi me atë zotim. Mirëpo ne jemi të vetëdijshëm për zotimet ndërkombëtare dhe vazhdojmë ta respektojmë zotimin e 2013-ës dhe do ta respektojmë në vazhdimësi. Në të saktësohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të operojë në veri të vendit, duke bërë koordinim paraprak me forcat e KFOR-it, gjë që ne e bëjmë në vazhdimësi. Është për t’u theksuar se edhe pas zotimit të 2013-ës, ne kemi pasur në të kaluarën operacione në bashkëpunim me KFOR-in të njësive të veçanta, kryesisht të kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit. Pra ne pavarësisht kufizimit që e kemi në veri, në bashkëpunim me KFOR-in, jemi në koordinim të vazhdueshëm që në rast se cenohet territori dhe sovraniteti i vendit apo jeta e qytetarëve, ne do të jemi të gatshëm të mbështesim operacionet e policisë së Kosovës apo KFOR-it në veri të vendit. Gjithmonë duke pasur parasysh që do të bëhet në koordinim paraprak me KFOR-in. Përndryshe Forca e Sigurisë së Kosovës ka mandate të ushtrojë detyrat e saj në të gjithë territorin e vendit tonë dhe trajnohet, zhvillohet, përgatitet për të kryer tri detyrat kyçe të saj që është mbrojtja e territorit të vendit, mbështetja ushtarake për autoritetet civile si dhe pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.