Molliqaj e quan Abdixhikun “patericë” të Albin Kurtit

Shpërndaje

Kryetari i PSD-së e ka kritikuar kryetarin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj e ka quajtur liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës patericë të Albin Kurtit.

Këto komente Molliqaj i bëri pas deklarimit të sotëm të Abxhidikut për media pas takimit që e pati me kreun e LVV-së, Albin Kurti dhe me pretendenten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit, Abdixhiku tha se ka përfunduar takimin me Kurtin dhe se me Osmanin do të takohet pasi të formohet Kuvendi e të zgjidhet kryeministri për të folur rreth çështjes së presidentit.

Molliqaj shkruan se Abdixhiku po mban qëndrim oportunist për të flirtuar me deputetët e Vjosa Osmanit me shpresë se ata mund t’i bashkohen LDK-së, e gjithashtu thotë se ideja se po i bën opozitë Kurtit dhe t’ia mundësosh zgjedhjen e presidentes është mashtrim, sepse Osmani është kandidate e Kurtit.

Sipas Molliqajt, Abdixhiku po e shtrembëron realitetin pasi qytetarët e Kosovës nuk është se nuk po duan zgjedhje, pasi rreth 50 për qind e tyre nuk i duan Kurtin e Osmanin në pushtet.

Ky është postimi i tij:

Lumiri patericë e Kurtit

Lumir Abdixhiku paska deklaruar sot pas takimit me VV se të hënën do të qëndrojnë në sallë, ndërsa për çështjen e zgjedhjes së presidentes do t’i vazhdojnë takimet gjatë ditëve të ardhshme.

Ky qëndrim nuk është asgjë më shumë sesa një qëndrim oportunist, me tendencë për të flirtuar me deputetët e listës së Osmanit me shpresën se ata do të mund t’i bashkohen LDK-së.

Ideja se po i bënë opozitë Kurtit, e në të njëjtën kohë t’ia mundësosh zgjedhjen e presidentes është mashtrim, sepse Osmani është kandidate e pushtetit, pra e Kurtit.

Nuk mund të deklarohet me kaq lehtësi që qytetarët nuk duan zgjedhje të reja. Sikur ata të mos donin zgjedhje të reja, dhe sikur të gjithë ata ta donin Kurtin kryeministër e Osmanin presidente, atëherë do ta votonin listën e VV 100%. Por jo, janë rreth 50% e votuesve që nuk i dojnë Kurtin e Osmanin në pushtet. Dhe pikërisht vullneti i këtyre votuesve, po shtrembërohet nga Lumiri e të tjerët.

Vjosa Osmani do të jetë presidente e VV, por jo e popullit. Ne kishim zgjedhje parlamentare e jo presidenciale, andaj logjika se Osmani u votua shumë prandaj duhet të jetë presidente nuk vlenë. Sepse Osmani u votua aq sa u votua pse ishte në koalicion me Kurtin, e jo pse qytetarët e duan atë presidente. Atë e duan si presidente vetëm ata që e duan Kurtin kryeministër, pra vetëm elektorati i VV.

Ky qëndrim i Lumirit, e delegjitimon atë për ndryshime përmbajtësore në LDK. Andaj e ftoj edhe njëherë meqenëse ende ka kohë, ta ndryshoj qasjen dhe të mos bëhet pjesë e pushtetit duke ia bërë kësaj të fundit kuorumin për zgjedhje të presidentes. Kosova ka nevojë për opozitë të fortë, e jo opozitë që i nënshtrohet Kurtit.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip