MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi vrasjen e shkupjanit 39 vjeçar në Greqi

Vrasjen e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut dhe plagosjen e tjetrit, e ka konfirmuar edhe Ministria për Punë të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk. “Të dy personat janë dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri u transportua në një spital […]

MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut e konfirmoi vrasjen e shkupjanit 39 vjeçar në Greqi
Flamuri i Greqisë në Athinë. Foto nga Faton Curri / Portalb.mk

Vrasjen e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut dhe plagosjen e tjetrit, e ka konfirmuar edhe Ministria për Punë të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Të dy personat janë dërguar urgjent në spitalin e përgjithshëm të Halkidikit, ku njëri nga plagët e rënda ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri u transportua në një spital tjetër- në Poligiros për tu kuruar mëtutje”, raportojnë nga Ministria.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se vrasja ka ndodhur në Halkidiki të Greqisë, ndërsa policia greke është duke zbardhur rrethanat e ngjarjes.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Athinë ka kontaktuar institucionet kompetente, përkatësisht policinë në Selanik dhe prej aty është konfirmuar se në Sani Villas të Haniotit, dy persona të maskuar kanë hapur zjarr mbi dy shtetas të Maqedonisë së Veriut”, sqarojnë nga Ministria.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit raportohet në mediat e Greqisë për vrasjen e një 39 vjeçari nga Maqedonia e Veriut dhe plagosjen e 45 vjeçarit. Raportohet që ngjarja ka ndodhur ne Halkidiki në orën 3:30 të mëngjesit.

Informatat e para jozyrtare tregojnë se një qytetar i lidhur me grupet mafioze në Shkup është vrarë jashtë Maqedonisë së Veriut.  Raportimet e para tregojnë se bëhet fjalë për personin e njohur si Oki, Orhan Bajrami, pjesë e grupit të Duqanxhikut, pjesë e së cilit ishte edhe i ndjeri Jeton Krivanjeva – Zhilla.

Ndryshe, Jeton Krivanjeva dhe Enes Iseni, janë dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, incidentet i lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.