Muajin tjetër mbahet testi pilot për PISA, njohësit e arsimit nuk presin rezultate të mira

Shpërndaje

Në prill mbahet testi pilot për PISA, njohësit e arsimit nuk presin rezultate të mira.

Dy mijë e 240 nxënës nga 40 shkolla në nivel vendi janë përzgjedhur për të marrë pjesë në testin pilot për PISA 2022, i cili testim pilot do të organizohet nga 20 prilli i këtij viti. Ndonëse testi final do të mbahet një vit më vonë, njohës të arsimit thonë se nuk presin rezultate pozitive për shkak të mungesës së reformës në sistemin arsimor.

Ndryshe mendojnë në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës (MASH) të cilët presin rezultate më të mira sesa në testin PISA 2015 dhe 2018, ku Kosova ishte renditur në vendet e fundit.

Në MASH thonë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit pilot.

“Këtë vit bëhet pilotimi i testit i cili organizohet nga 20 prilli, për pilotimin e testit PISA janë përzgjedhur 2240 nxënës. Përgatitjet e para kanë përfunduar tani do të ketë aktivitete për përgatitjen e qendrave të testimit, nxënësit e përzgjedhur janë nga 40 shkolla”, thuhet në përgjigje.

Nxënësit që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në testin pilotues nuk do të jenë të njëjtit që do t’i nënshtrohen testin final, pasi sipas MASH, ata do të përzgjidhen tek në shkurt të vitit 2022.

Nga ministria thonë se presin rezultate më të mira, krahasuar me dy herët e fundit ku Kosova u rëndit në vendet e fundit.

“Testi final mbahet nga 15 prill 2022 deri më 15 maj 2022. Presim rezultate më të mira se ciklet paraprake por do të shihet edhe efekti i pandemisë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Njohës të arsimit, ndonëse testin pilot e shohin më shumë si parapërgatitje në anën administrative të testit, thonë se nuk presin rezultate të mira.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se pilotimi i këtij testi nuk mund të kontribuojë në përgatitjen e nxënësve.

Ai thotë se nuk pret ndonjë rezultat të mirë në testin PISA 2022, megjithatë shton se Kosova duhet të vazhdojë të marrë pjesë në këtë testim.

“Unë vlerësoj që rezultati në testin PISA do të jetë përafërsisht i njëjtë, pra lëvizja në pozicion mund të vijë si rezultat i lëvizjes në pozicion të vendeve të tjera ose mos pjesëmarrjes së vendeve të tjera. Mirëpo në tërësi Kosova do të qëndrojë në të njëjtën pozitë me pikëzim për të vetmin fakt pasi që neve nuk kemi ndonjë zbatim të mirëfilltë të një reforme kurrikulare që nxënësit tanë i përgatitë më shumë sesa që kanë qenë ata të vitit paraprak. E kjo reformë kurrikulare merr vite të tëra nga 5 deri në 10 vite që eventualisht të shfaqen rezultate që të kthehen edhe në ndonjë përmirësim në rezultatin e testit PISA”, shprehet ai.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Popovci, thotë se nëse do të ndërmerren veprime konkrete për përmirësim të cilësisë atëherë rezultate më të mira në testin PISA mund të priten në vitin 2025.

“Ky testim flet faktikisht për cilësinë në arsim. Mendoj që duhet të punohet në këtë drejtim duke filluar nga përmirësimi i mësimdhënies deri tek përmirësimi i kushteve të punës në shkolla, gjë e cila nuk është bërë këto vitet e fundit në masën e duhur. Por, gjithsesi duhet të punohet shumë edhe në krijimin e një sistemi ku dominon përgjegjësia dhe llogaridhënia, që është një ndër defektet më të mëdha të sistemit të arsimit në Kosovë”, thotë ai.

Edhe Qehaja shprehet se arritja e rezultateve të mira në testin PISA kërkon kohë dhe përkushtim institucional për zbatimin e reformës kurrikulare.

“Përmirësimi në testin PISA kërkon kohë dhe mbi të gjitha një përkushtim institucional për një zbatim të reformës kurrikuklare që tashmë e kemi në sistem. Kjo nënkupton tekste më të mira shkollore, përkrahje për komunitetin e mësimdhënësve për performancë më të mirë në klasë, përkrahje në infrastrukturë dhe mjete didaktike që do të ndihmonin zbatimin e kësaj reforme kurrikulare. Të gjitha këto dhe shumë çka tjetër pastaj eventualisht mund të ndikonin edhe në rritje të cilësisë në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Në situatën që jemi tani, me një neglizhencë dhe anashkalim të tërësishëm institucional është e vështirë të pritet ndonjë përmirësim në një periudhë afatshkurtër”, thotë Qehaja.

Ndikim negativ në rezultatin e testit PISA, sipas tyre, pritet të ketë edhe pandemia COVID-19.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Popovci, potencon se ndikimi i pandemisë do të vërehet edhe në rezultatet e shteteve tjera përveç Kosovës.

“Pandemia do të ketë efekte negative, jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e botës dhe rëndom këto efekte janë akoma më të rënda në ato vende të cilat nuk i kanë kushtet e mira për mësimin online, siç është për shembull rasti ynë. Vlerësohet se gjatë pranverës së vitit të kaluar nxënësit të cilit kanë marrë në mësimin online kanë humbur diku 25 përqind të vitit shkollor për faktin që janë shkëputur nga shkolla. Ndërsa, ata që nuk kanë marrë pjesë në mësimin online vlerësohet se kanë humbur diku 40 përqind të vitit shkollor. Vlerësimet për këtë vit shkollor ende nuk janë bërë, por mendoj se humbjet mësimore do të jenë të konsiderueshme dhe kjo patjetër do të reflektohet edhe në rezultatin e testit PISA”, thotë Popovci.

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili vlerëson kompetencat e nxënësve 15 vjeçar në lexim, matematikë dhe në shkencë.

Kosova ka marrë pjesë në testin PISA 2015 dhe në PISA 2018, ku në të dyja rastet është radhitur në vendet e fundit. PISA 2022 do të mbahet duke filluar nga 15 prilli deri më 15 maj 2022.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip