Pas kthimit nga SHBA Kurti merr 20 vendime por edhe disa kritika

Ka përfunduar vizita e Kurtit në SHBA.

Kryeministri Albin Kurti, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte për të marrë pjesë në funeralin e ish Sekretares së Shtetit amerikan, Madeleine Albright.

Me të mbërritur në Kosovë, Kurti ditën e ka nisur duke bërë homazhe dhe duke vendosur lule të Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt, në nderim të 23-vjetorit të rënies së heroit të kombit, Ilaz Kodra.

Pas homazheve, Kurti u kritikua se jo më shumë se dy muaj më herët, nga menaxhmenti i vendosur nga qeveria e tij në PTK, është shkarkuar bashkëshortja e Ilaz Kodrës. Në dritën e publikut, këtë informacion e solli deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra.

“Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore”, shkroi Deliu-Kodra.

Më pas, sot gjatë ditës, Kurti priti në takim një grup prej 50 ndërmarrësish nga Gjermania. Ai tha se ndërmarrësit gjermanë i njoftoi për mundësitë e mira të krijuara në Kosovë për ata që duan të investojnë dhe u tregoi se sa shumë e sa mirë flasin gjermanisht kosovarët.

“Afaristët gjermanë i sigurova se indikatorët e mirë ekonomikë janë siguri se investimi i tyre dhe biznesi i tyre do të kënë sukses të qëndrueshëm. Krahasuar me vitin 2020, kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte prej 22%. E rritja e investimeve kapitale në vitin 2021, krahasuar me vitin para atij, pra 2020, ishte 10.3%”, shkroi Kurti në një njoftim.

Në po këtë ditë, Kurti gjithashtu mblodhi Qeverinë e Kosovës për mbledhjen shtatëdhjetë e tretë, ku u morën plot 20 vendime, disa prej të cilëve zgjuan reagime, veçanërisht ai për kthimin e pronave në disa komuna nën menaxhimin e AKP-së.

“Shfuqizuam vendimet e qeverisë paraprake nga viti 2018 duke vendosur kështu ligjshmëri: bëmë tërheqjen e bartjes në pronësi komunale të aseteve të AKP-së për komunat Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Han i Elezit”, shkroi Kurti në një njoftim.

Një tjetër vendim qeveritar që u mor sot, ishte ai për aprovimin e nismës për anëtarësimin e Kosovës në “Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave”, përkatësisht aderimin në Konventën e Parisit.

Megjithatë, del se Republika e Kosovës është anëtarësuar në këtë organizatë, që nga viti 2015. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, përmes një postimi në Facebook, tha se Kosova është anëtare e Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015.

“Kosova poashtu ka aderuar në konventat relevante të EXPO. Kosova ka marrë pjesë në EXPO Antalya në vitin 2016, e së fundi edhe në EXPO Dubai”, ka shkruar ajo.

Krejt në fund, siç ka bërë me dije Kurti, e ka vizituar edhe Muzeun e Fëmijërisë së Luftës, që së fundmi është vendosur edhe brenda Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Në librin e kujtimeve të vizitorëve, Kurti shkroi: “Fëmijëria nuk kalon, aty formohemi e informohemi për gjithë jetën në vijim. Por, një fëmijëri në luftë, me gjësendet që të shpëtojnë për dallim nga shoqet e shokët që nuk kanë shpëtuar, sjell jo vetëm kujtime të pashlyeshme për këta fëmijë të luftës, por edhe kujtesë të pazëvendësueshme për një popull të tërë, për tërë shoqërinë.”

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip