PDK: Gjatë marsit Kosova importoi vetëm 0.56 për qind energji, faturat u paguan me çmimin e ri

Ismaili: Gjatë marsit Kosova importoi vetëm 0.56 për qind energji, faturat u paguan me çmimin e ri.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sërish konferencë për shtrenjtimin e energjisë në vend.

Nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili, ka thënë se se ky vendim ka qenë i panevojshëm dhe se është e pakuptimtë që qytetarët të paguajnë faturat e energjisë elektrike me rritje kur ka prodhim të mjaftueshëm të energjisë për nevojat e konsumit të brendshëm.

“Sot jemi këtu për të paraqitur dhe për të zbërthyer këto fakte dhe kemi marrë si shembull muajin mars kur qytetarët tanë kanë paguar energjinë elektrike me 100 për qind. Prodhimi i energjisë ka mbuluar kërkesën e e konsumit. Madje, vetëm gjatë muajit mars, sipas shifrave që po i shihni, Kosova ka prodhuar 170 mijë megavat më shumë sesa kërkesa e konsumit. Ndërkaq, ka importuar vetëm 0.56 për qind energji elektrike.”, tha Ismaili në konferencë.

Sipas tij, faktet tregojnë se Kosova nuk ka pasur nevojë që ta shtrenjtojë rrymën.

“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët tanë para një dileme të madhe se ku duhet ndarë buxhetin familjar, a duhet të shkoj në produktet bazike të cilat janë shtrenjtuar, a duhet të paguajë faturën apo të hyj në borxhe familjare për të mbuluar muajin. Ky vendim me të cilin qytetarët tanë janë dëmtuar financiarisht ka qenë i padrejtë, i panevojshëm dhe faktet sot tregojnë që ne nuk kemi pasur nevojë fare ta ngrisim çmimin e energjisë.”, tha Ismaili.

Në konferencë foli edhe deputetja Eliza Hoxha, e cila tha se në muajin shkurt ka pasur mjaftueshëm prodhim nga brenda për t’i mbuluar nevojat e konsumit.

“E them kështu, të ashtuquajturën, sepse ironia qëndron në faktin e numrave të prezantuar nga kolegët e mi edhe në kuvend, e edhe në konferencat e kaluara për shtyp lidhur me këtë çështje ku shihet qartë se në muajin shkurt ka pasur mjaftueshëm prodhim nga brenda për t’i mbuluar nevojat e konsumit dhe se importi ka qenë në përqindje shumë të vogël, përderisa qytetarët kanë paguar faturen e shkurtit me çmimin e rritur. Dhe të mos harrojmë që është kalkuluar nga gjysma e muajit sipas vendimit të ZRRE-së. Dhe, duke pasur konsum mjaftueshëm sërish në Kuvend vjen kërkesa për vazhdimin e gjendjes emergjente. Pra, kjo është ironia.”, tha Hoxha.

Ajo foli edhe për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë.

“Pra, që të jemi të qartë, ky komision tashmë me kushtetutë dhe me Ligjin për hetim parlamentar duhet të cilësohet si i themeluar. Në të kundërtën çdo përpjekje për ta penguar dhe parandaluar themelimin e këtij Komisioni Hetimor përbën shkelje kushtetuese dhe cenim të demokracisë në vend. Kjo është hera e parë që në historinë parlamentare të pengohet themelimi i një komisioni hetimor, por kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri e shkelë kushtetutën.”, deklaroi Hoxha.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip