Reporterët pa Kufij: Gazetarët në Kosovë fyhen si “bashkëpunëtorë të armikut”

Raporti i sivjetshëm i Reporterëve pa Kufij, për Kosovën, vë në pah sulmet dhe mosndëshkueshmërinë ndaj gazetarëve. Flet për sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve dhe etiketimin e tyre si “bashkëpunëtorë të armikut”.

Edhe pse konsiderohet i vogël dhe i ndarë sipas vijave etnike, tregun medial të Kosovës, raporti i Reporterëve pa Kufij, e sheh si pluralist dhe aktiv.

Kosova, këtë vit, në indeksin e Lirisë së Shtypit, është renditur e 61-ta nga 180 shtete të vlerësuara. Vitin e kaluar ka qenë në vendin e 78-të. Edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që, viteve të kaluara, kryesisht kanë qenë më keq se Kosova, janë ngritur në renditje. Përveç Shqipërisë, ku, sipas këtij raporti, liria e shtypit ka degraduar. Ka qenë në vend të 83-të, e ka rënë në vend të 103-të. Serbia është ngritur për 14 vend në këtë renditje.

Raporti i plotë i Reporterëve pa Kufij, i përgatitur për Kosovën, megjithatë rendit shumë prej arsyeve që e vështirësojnë punën e gazetarëve në Kosovë.

Në raport thuhet se edhe pse mediat arrijnë t’i mbajnë autoritetet llogaridhënëse, gazetarët rregullisht shenjtërohen nga sulmet politike.

Te konteksti politik, raporti flet për transmetuesin publik dhe për Komisionin e Pavarur të Mediave, bordet e të cilëve zgjidhen nga Kuvendi.

“Rregullatori i mediave, KPM (Këshilli i Pavarur i Mediave) ka qenë i paefekshëm dhe së fundmi i përfshirë në një aferë korruptive. Derisa bordi i transmetuesit publik, RTK-së, – i përzgjedhur direkt nga Parlamenti, sikurse i KPM-së – është i prekshëm nga ndikimi politik, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të tij në fund të vitit 2021 u konsiderua transparent nga organizatat që mbrojnë lirinë e shtypit”, thuhet në raportin për Kosovën.

Aty përmenden edhe ankesat e gazetarëve të komunitetit serb në Kosovë.

“Mediat në gjuhen serbe ankohen për diskriminim në informatat publike, sidomos në gjuhen kushtetuese të minoritetit”.

Te korniza ligjore, raporti flet për ligjet ekzistuese në Kosovë dhe për paditë SLAPP, të cilat ngrihen nga akterë politikë dhe biznesorë, në përpjekje për të intimiduar raportimet e gazetarëve, që i prekin ata.

“Liria e shprehjes, mbrojtja e burimeve të gazetarëve dhe e drejta për informim janë ligjërisht të garantuara, ndërsa shpifjet janë të dekriminalizuara. Megjithatë, së fundmi, gazetarët kanë qenë të targetuar nga paditë SLAPP, të nisura nga grupet biznesore dhe politike”

“Plus që, qasja në informacionin publik është penguar nga gabimet e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ligji për të Drejtën e Autorit nuk respektohet në praktikë”.

Raporti thotë se “në përgjithësi, mediat janë të varura nga reklamat, ose nga qeveria ose partitë politike, – të dyja këto të shpërndara në një mënyrë jo-transparente dhe të anshme”.

“Redaksitë e mediave private janë të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve të grupeve të fuqishme politike ose biznesore, përmes pronarëve të mediave, Mediat në gjuhen serbe përballen me sfida shtesë të një tregu të vogël medial, ku disa media varen nga financimi prej Serbisë, e mediat e pavarura nuk do të mund të mbijetonin pa ndihma ndërkombëtare”.

Në raport theksohet gazetarët investigativë dhe mediat e pavarura etiketohen e fyhen me titujt “bashkëpunëtorë të armikut”.

“Edhe pse profesioni i gazetarit respektohet nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh viktima të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjete sociale dhe akuzohen padrejtësisht se “bashkëpunojnë me armikun”. Një retorikë e tillë bëhet nga grupet politike dhe fetare”.

Te siguria e gazetarëve, edhe këtë vit përmenden sulmet e gazetarëve dhe mosndëshkimi i tyre.

“Derisa asnjë gazetar nuk është vrarë që nga viti 2005, vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve para dhe pas luftës në Kosovë (1998-2005) mbesin të padënuara. Gazetarët që hulumtojnë për trafikimin me drogë dhe ndotjen e ajrit u janë ekspozuar sulmeve fizike dhe raportimet e tyre janë ndal nga rrjetet kriminale. Përderisa sulmet hetohen nga Policia dhe nga zyra e prokurorit, gjykatat dështojnë t’u japin verdikt atyre”,

Mbulimi nga media i ngjarjeve politike ka rezultuar me një numër në rritje të kërcënimeve të gazetarëve në rrjete sociale, thotë raporti.

“Gazetarët serbë janë të intimiduar për raportimin e tyre të pavarur, nga partia që udhëheq në Kosovën Veriore”.

Në indeksin e Lirisë së Shypit edhe kët vit, si vitin 2021, e para qëndron Norvegjia.

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip