Spanja e njohu shtetin palestinez, të njëjtën pritet ta bëjnë edhe Irlanda dhe Norvegjia

Spanja e ka njohur të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez, ndërsa njëjtë do të veprojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia, transmeton Radio Evropa e Lirë. Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë të martën në mëngjes vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si […]

Spanja e njohu shtetin palestinez, të njëjtën pritet ta bëjnë edhe Irlanda dhe Norvegjia
Flamuri i Palestinës. Foto: Muaaz në Canva

Spanja e ka njohur të martën edhe zyrtarisht shtetin palestinez, ndërsa njëjtë do të veprojnë edhe Irlanda dhe Norvegjia, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë të martën në mëngjes vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e tij.

Megjithatë, ai ka thënë se Spanja nuk do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të përcaktuar më 1967, përveç nëse pajtohen palët.

“Njohja e shtetit të Palestinës është nevojë e domosdoshme, nëse të gjithë ne dëshirojmë të arrijmë paqen”, ka thënë ai.

Ky vendim është dënuar ashpër nga Izraeli dhe është parë si “shpërblim” për Hamasin.

Këto tri shtete evropiane besojnë se iniciativa e tyre ka ndikim të madh dhe që do t’i inkurajojë edhe vendet tjera të veprojnë njëjtë.

Ato përmendin edhe rolin historik të Norvegjisë dhe Spanjës në avancimin e përpjekjeve për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Më 1991, dy palët janë ulur së bashku, për herë të parë ndonjëherë, në konferencën për paqe në Madrid, e cila më pas ua ka hapur rrugën të ashtuquajturave Marrëveshje të Oslos, të nënshkruara më 1993.

“Njohja e shtetit palestinez ka të bëjë me drejtësi për popullin palestinez”, ka thënë ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, të hënën në Bruksel.

Sipas tij, ky vendim përbën “garancinë më të mirë të sigurisë për Izraelin dhe është absolutisht thelbësore të arrihet paqja në rajon”.

Planet për njohje të shtetit palestinez janë prezantuar javën e kaluar përmes një njoftimi të koordinuar në mes të tre kryeministrave.

Dallimet brenda BE-së

Norvegjia e ka informuar kryeministrin palestinez Mohammed Mustafa në fundjavë se vendimi për njohje të shtetësisë do të hyjë në fuqi të martën.

Ndonëse Sllovenia ka nisur, po ashtu, procesin e njohjes së shtetit palestinez, ky rast ka nxitur mospajtime të thella brenda Bashkimin Evropian me 27 shtete anëtare.

Spanja dhe Irlanda janë pjesë e bllokut evropian.

Për dekada, njohja formale e shtetësisë palestineze ka qenë pika ku kanë dështuar bisedimet për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Uashingtoni dhe shumë shtete evropiane kanë thënë se janë të gatshme që një ditë të njohin shtetësinë palestineze, mirëpo jo para se të arrihet një marrëveshje për çështjet e ndjeshme sikurse statusi i Jerusalemit dhe përcaktimi i kufijve.

Mirëpo, përkeqësimi i situatës në Gazë ka shtuar thirrjet që palestinezët të kenë shtetin e tyre.

Brenda BE-së, shtetet sikurse Franca besojnë se ende nuk ka ardhur koha për të vepruar ashtu, derisa Gjermania beson se njohja duhet të ndodhë pas negociatave që zhvillojnë dy palët.

Vendimi i së martës nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do të nënkuptojë që 145 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, tani e njohin shtetin palestinez.

Aty përfshihen shumë shtete të Lindjes së Mesme, të Afrikës dhe Azisë, por jo Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, shumica e vendeve të Evropës, Australia, Japonia dhe as Koreja e Jugut.

Më 2014, Suedia është bërë shteti i parë i BE-së që e ka njohur shtetësinë palestineze, duke vepruar njëjtë sikurse gjashtë shtete evropiane, të cilat e kanë marrë atë vendim para se t’i bashkoheshin bllokut evropian: Bullgaria, Qiproja, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Rumania.

Megjithatë, Republika Çeke ka thënë se fundmi se njohja që i ka bërë Çekosllovakia e dikurshme shtetësisë palestineze më 1988, nuk vlen më.