Vuçiqi kërcënon Kosovën

Shpërndaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “dhuna ndaj serbëve në Kosovë, që kishte ndodhur 17 vjet më parë”, s’mund të përsëritet sepse Serbia do të ketë përgjigje “të qartë, serioze e adekuate”.

“Serbia s’do të lejojë tjetër masakër. Serbia, sikur kushdo tjetër, ka të drejtën të kujdeset për popullin e saj, shëndetin e tyre, sigurinë dhe mirëqenien të cilën, sikur kushdo tjetër, çdo serb ka të drejtë të ketë”, ka thënë ai në një mbledhje komemorative në Beograd në të cilën përkujtoheshin trazirat e marsit e që Serbia po i cilëson si “masakra në Kosovë”.

Ai ka thënë se Serbia po vepronte atë kohë pa armë e pa dëshirën për të hequr qafe dikë.

“Por kjo nuk do të thotë që Serbia do të lejojë dikë të përsërisë 17 marsin. Serbia nuk është e gatshme për këtë, e as s’do të jetë ndonjëherë. E drejta e jetës është e drejtë bazike dhe gjithmonë do ta mbrojmë atë”, ka thënë ai.

Ai ka potencuar se “njësoj siç ne nuk i rrezikojmë të drejtat e të tjerëve, as nuk do të lejojmë që të rrezikohemi prej të tjerëve”.

“Ne nuk jemi duke ndjekur ndonjë politikë ekspansioniste, kjo nuk ka të bëjë me kurrfarë ëndrre për njëfarë bote serbe, nuk ka kjo lidhje me hegjemoninë serbe, e as që duam që ta drejtojmë ose të udhëheqim me dikë tjetër përveç vetes dhe shtetit tonë”, ka deklaruar Vuçiq, raporton “Tanjug”.

“Serbia nuk ka aspirata karshi territoreve dhe nuk kërcënon, e vetmja që kërkon është që t’i lejohet t’i ekzekutojë obligimet e veta – të mbajmë mend dhe të mos lejojë që krimet të përsëriten”, ka përfunduar ai.

Protestat që nisën më 17 mars 2004, njihen si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë. Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht. Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë.

Shpërndaje

Lajmet e fundit qe mund ti lexoni...
Lajme te ndryshme te rendeishme shqip