Atentatori i kryeministrit sllovak Fico është shkrimtar me pikëpamje ekstremiste i lidhur me një grup paraushtarak pro-rus

Shtatëdhjetë e një vjeçari Juraj Cintula, i cili dje qëlloi kryeministrin sllovak Robert Fico dhe e plagosi rëndë, tha se e bëri këtë sepse nuk ishte dakord me politikën e qeverisë, veçanërisht me propozimin për heqjen e televizionit shtetëror. Disa dëshmitarë thanë se Cintula iu afrua Ficos dhe iu drejtua atij, më pas qëlloi pesë […]

Atentatori i kryeministrit sllovak Fico është shkrimtar me pikëpamje ekstremiste i lidhur me një grup paraushtarak pro-rus
I arrestuari që gjuajti ndaj Robert Fico, foto printscreen nga video e Sky News

Shtatëdhjetë e një vjeçari Juraj Cintula, i cili dje qëlloi kryeministrin sllovak Robert Fico dhe e plagosi rëndë, tha se e bëri këtë sepse nuk ishte dakord me politikën e qeverisë, veçanërisht me propozimin për heqjen e televizionit shtetëror. Disa dëshmitarë thanë se Cintula iu afrua Ficos dhe iu drejtua atij, më pas qëlloi pesë të shtëna, tre prej të cilave e goditën atë, transmeton Portalb.mk.

Mediat sllovake raportuan se Cintula është një shkrimtar dhe poet nga qyteti i Levices, themeluesi i klubit letrar “Vinozhito”, i cili punonte si roje në një qendër tregtare dhe ishte i lidhur me grupin pro-rus “Slovenski Branci”.

Kjo e fundit konfirmohet nga postimet në Facebook që gjeti gazetari investigativ hungarez Sabolch Panyi. Ata e tregojnë Cintulën si simpatizant dhe mbështetës të këtij grupi paraushtarak, i cili dihet se ka lidhje me Kremlinin. “Slovenski Branci” u akuzua për përpjekje për të rekrutuar të rinj në të gjithë Sllovakinë.

Në një postim të vitit 2016, Cintula u filmua duke mbajtur një fjalim para anëtarëve të grupit të veshur me uniforma të maskuara. Në tekstin poshtë fotos, Cintula mbështet milicitë e vetëorganizuara që “duhet të lejohen të mbrojnë banorët, tokën, traditën dhe kulturën nga emigrantët që vijnë nga jashtë Evropës”.

Si shkrimtar, Cintula ka botuar tre përmbledhje me poezi dhe dy romane, dhe në njërën prej tyre sulmon komunitetin rom sllovak. Në vitin 2015, ai u bë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovakisë, ndonëse vitet e fundit është përpjekur të distancohet prej saj.

Cintula punonte për një kompani private sigurie dhe armën me të cilën qëlloi Ficon e kishte me leje.