Biden: Netanyahu po zvarrit luftën në Gazë për të shpëtuar veten politikisht

Presidenti amerikan Joe Biden, tha në një intervistë për revistën “Time” se ekzistojnë “arsye” për të besuar se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po zvarrit konfliktit për të shpëtuar veten politikisht, transmeton VOA. Ndërkohë që lufta po i afrohet tetë mujorit, udhëheqësi izraelit po përballet me kërkesa të ndryshme në raport me qasjen e vendit të […]

Biden: Netanyahu po zvarrit luftën në Gazë për të shpëtuar veten politikisht
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden. Foto nga faqja e tij zyrtare në Facebook

Presidenti amerikan Joe Biden, tha në një intervistë për revistën “Time” se ekzistojnë “arsye” për të besuar se Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po zvarrit konfliktit për të shpëtuar veten politikisht, transmeton VOA.

Ndërkohë që lufta po i afrohet tetë mujorit, udhëheqësi izraelit po përballet me kërkesa të ndryshme në raport me qasjen e vendit të tij mbi Gazën. Nga njëra anë Presidenti Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë që i kanë kërkuar atij t’i japë fund konfliktit e nga ana tjetër ligjvënësit e krahut të djathtë në parlamentin izraelit që kanë paralajmëruar ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse Netanyahu bie dakord me armëpushimin, pa eliminuar tërësisht kontrollin e Hamasit në Gazë.

Javën e kaluar Biden bëri publik një propozim për një armëpushim në Gazë dhe nxiti udhëheqësit botërorë ta përkrahë atë. Por Hamasi ende nuk ka dhënë një përgjigje mbi planin dhe që nga koha kur ai u bë publik, Netanyahu është shfaqur i rezervuar në deklaratat e tij rreth propozimit. Gjatë intervistës së zhvilluar disa ditë më parë, revista “Time” e pyeti Presidenti Biden nëse besonte që Netanyahu po e zvarriste luftën për të mbijetuar politikisht.

“Ka arsye që të nxisin të dalësh në atë përfundim”, tha Presidenti Biden në intervistën e botuar të martën.

Presidenti Biden e pranoi se ai dhe kryeministri izraelit Netanyahu kanë pasur marrëdhënie të tensionuara tashmë që numri i të vdekurve në Gazë ka kaluar shifrën e 36,500 civilëve. Ata mbajnë qëndrime të ndryshme sa i përket rolit të Autoritetit Palestinez të reformuar në qeverisjen e Gazës së pas luftës, një plan që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, por që refuzohet nga Netanyahu, i cili nuk ka ofruar një plan të tij.

“Mosmarrëveshja ime më e madhe me Netanyahun mbi atë se çfarë do të ndodhë pasi të përfundojë lufta në Gazë? Ku do të shkohet? A kthehen forcat izraelite atje?”, ishin disa nga pikëpyetjet që ngriti Presidenti Biden gjatë intervistës së tij. “Nëse do të ndodhë kjo, atëherë përgjigja ime është, kjo gjë nuk mund të funksionojë”, shtoi ai.

Mbi 36,500 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë në tetë muaj lufte. Lufta zgjeruar e Izraelit në Gazë ka ndërprerë futjen e ushqimeve dhe ilaçeve tek palestinezët që po përballen me uri.