Eko aktivistët dorëzuan nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave për paraqitjen e listave të pavarura

Eko aktivistë nga gjashtë organizata dhe nisma të shoqërisë civile dorëzuan sot në Gjykatën Kushtetuese nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilat u referohen kushteve për paraqitjen e listave të pavarura për këshilltarë, kryetarë komunash dhe deputetë, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat. Aktivistët mendojnë se […]

Eko aktivistët dorëzuan nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave për paraqitjen e listave të pavarura
Gjykata Kushtetuese e RMV-së. Foto nga profili zyrtar në Facebook i Gjykatës Kushtetuese

Eko aktivistë nga gjashtë organizata dhe nisma të shoqërisë civile dorëzuan sot në Gjykatën Kushtetuese nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilat u referohen kushteve për paraqitjen e listave të pavarura për këshilltarë, kryetarë komunash dhe deputetë, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.

Aktivistët mendojnë se me këto dy nene janë shkelur katër nene të Kushtetutës dhe se pas miratimit të tyre është përkeqësuar ndjeshëm gjendja e listave të pavarura dhe nismave të pavarura, sepse është ngritur shumë pragu për nënshkrimet e mbledhura si kusht për paraqitjen e listës.

Sipas aktivistëve, ndryshimet me këto dy nene janë bërë në favor të partive politike, dhe në dëm të shoqatave dhe nismave civile dhe të drejtës së tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, që cenon procesin demokratik dhe demokracinë e shtetit.

Aktivistët shpresojnë se Gjykata Kushtetuese do të nisë procedurën për shfuqizimin dhe anulimin e neneve 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor.

“Në emër të gjashtë organizatave dhe nismave të shoqërisë civile, kemi dorëzuar një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dy neneve 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor, të cilët zëvendësuan nenet 61 dhe 62. Këto ndryshime janë bërë në mars të këtij viti, pak para zgjedhjeve. Vlerësojmë se me ta gjendja e listave të pavarura dhe nismave të pavarura është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Në vend të numrave të mëparshëm, të cilët tashmë ishin mjaft të lartë, është kërkuar që madje një për qind e njësisë së vetëqeverisjes lokale apo njësisë zgjedhore të parashtrohet si kusht për paraqitjen e listës, qoftë në nivel lokal apo shtetëror”, tha Liljana Popovska nga Instituti i Gjelbër pas dorëzimit të nismës në Gjykatën Kushtetuese.

Me këtë, theksoi Popovska, është bërë diskriminim i rëndë ndaj qytetarëve dhe nismave qytetare në të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, e më pas edhe në pushtetin në nivel lokal dhe qendror.

“Konkretisht mendojmë se janë shkelur katër nene të Kushtetutës, neni 9 për barazinë e çdo qytetari, neni 20 për lirinë e organizimit për të ushtruar të drejtat dhe bindjet e tyre politike, neni 23 që i jep çdo qytetari të drejtën e barabartë për pjesëmarrje në kryerjen e funksioneve publike dhe neni 110, i cili mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve në lidhje me organizimet dhe veprimet politike dhe ndalon diskriminimin”, sqaroi Popovska.

Ajo theksoi se për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare deri tani nevojiteshin 1.000 vota nga një njësi zgjedhore ndërsa tani do të duhen katër deri në pesë herë më shumë, ndërsa për nivelin lokal ka pasur një rritje nga 100 në 1.000, e tani konkretisht për Shkupin kërkohen 4.700 vota ose gjysma e asaj sa “peshon” një këshilltar në Qytetin e Shkupit.

“Po del se ata që nuk i ke njohur dhe kanë votuar për ty, duhet ti kërkosh të të japin nënshkrim që të të lejojë shteti të paraqesësh listë, që është diskriminim total. Përndryshe, sa i përket partive, pse është diskriminuese, sepse një parti mund të regjistrohet me 1000 nënshkrime, kështu që nëse mjaftojnë 1000 nënshkrime që një parti të paraqesë lista kudo dhe në çdo nivel, ka pasur logjikë që edhe shoqatat dhe nismat civile të jenë gjithashtu me maksimumi prej 1000. Mirëpo tani kjo po rritet për katër deri në pesë herë më shumë”, theksoi Popovska.

Kostadin Ristomanov nga Stiga e! – Strumicë mendon se partitë në vend që të rrisin shkallën e tolerancës dhe demokracisë, po e kthejnë atë pas.

“Koha e caktuar para zgjedhjeve tregon se ne si lista të pavarura, sipas vlerësimeve të tyre, do të kishim pasur mundësi të ndikonim në projeksionet dhe planet e tyre. Kjo është edhe arsyeja e unanimitetit të tyre për miratimin e këtij ligji. Kjo tregon edhe se ne kemi një lloj reputacioni që populli e vlerëson dhe ka gjasa të jemi një lloj kërcënimi meqë kaq me shpejtësi miratohet një ligj i tillë që ne e konsiderojmë jo kushtetues”, tha Ristomanov.

Edhe sipas Gjorgji Tanushevit nga Stiga e!, me këto ndryshime rriten barrierat për qasjen e aktivistëve civilë në nivel lokal apo qendror, gjë që është diskriminuese dhe do ta ulë shkallën e demokracisë në vend.

“Ne jemi këtu për të bërë një ndryshim në funksion të demokracisë, për ta hequr diskriminimin që tani po vendoset në formë institucionale, sepse një përqind e elektoratit është shumë më tepër krahasuar me atë që më parë ishte fikse për çdo njësi zgjedhore. Numri edhe ashtu ishte i lartë në krahasim me Evropën dhe me shtetet fqinje, sepse atje duhen më së shumti disa qindra. U bëjmë thirrje atyre që do të vendosin, të luftojnë për parimin e drejtësisë dhe mosdiskriminimit, ndërsa partitë të zgjohen dhe t’i përmbushin premtimet e tyre për demokraci”,thekson Tanushev.