Është vënë nën kontroll zjarri në sallën Universale në qendër të Shkupit

Një zjarr ka rënë sot në Sallën Universale në Shkup. Kupola që u vendos pikërisht dy javë më parë sot u dogj. Nuk ka viktima apo të lënduar, transmeton Portalb.mk.  Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se salla Universale në momentin e rënies së zjarrit ishte bosh. “Nuk ka viktima, nuk ka të lënduar, […]

Është vënë nën kontroll zjarri në sallën Universale në qendër të Shkupit
Flakë në Sallën Unverzale Shkup. Foto: Meta.mk

Një zjarr ka rënë sot në Sallën Universale në Shkup. Kupola që u vendos pikërisht dy javë më parë sot u dogj. Nuk ka viktima apo të lënduar, transmeton Portalb.mk

Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se salla Universale në momentin e rënies së zjarrit ishte bosh.

“Nuk ka viktima, nuk ka të lënduar, ndërtesa ishte bosh. Përpara se të vazhdohet me ndërtimin do të përcaktohet shkaku përkatës, do të riparohet dëmi dhe do të vijojë ndërtimi. Dua të theksoj se objekti ishte i siguruar”, tha ajo.

Rreth orës 11, zjarri është vënë nën kontroll. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK), Stojançe Angelov.

“Zjarri në Sallën Universale është lokalizuar dhe nuk ka rrezik të përhapet. Njësia zjarrfikëse e Shkupit po punon për shuarjen e zjarrit”, tha Angelov në një deklaratë për media.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, i cili ishte në vendin e ngjarjes së bashku me ministren e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, përmes një postimi në Facebook u bën thirrje qytetarëve që të shmangin këtë pjesë të qytetit derisa ndërhyrja vazhdon.

“Për momentin ekipet e zjarrfikësve janë duke e shuar dhe zjarri është lokalizuar. Nuk ka asnjë rrezik për objektet e tjera në afërsi. Sipas informacioneve të para, në të nuk kishte njeri. U bëj thirrje qytetarëve që të shmangin këtë pjesë të qytetit sa të zgjasë ndërhyrja. Gjithashtu bëj thirrje që të mos përhapen spekulime derisa të marrim informacion zyrtar për shkakun e zjarrit”, shkruan Gerasimovski në postimin në Facebook.

Herën e fundit, Ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska në shkurt kishte njoftuar se Qeveria po ndërmerr rindërtimin e sallës së koncerteve në qytetin e Shkupit pas një ngecjeje dyvjeçare gjatë ndërrimit të kryetarëve të Qytetit të Shkupit.

Salla universale ka 7 vite që nuk punon. Ka filluar të rinovohet në shtator të vitit 2021 në mandatin e ish-kryetarit Petre Shilegov me paratë e siguruara nga Qeveria. Por, pas marrjes së detyrës nga Danela Arsovska, punimet ndërtimore u ndërprenë. Danella akuzoi kryesinë e kaluar të qytetit se është fajtore që nuk po ndërtohet salla e koncerteve sepse kanë bërë një projekt të pasigurt.