Gaza do të fillojë fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit

Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan të shtunën nisjen e një fushate vaksinimi kundër poliomielitit për 640 mijë fëmijë palestinezë. Mjekët bënë thirrje për një “armëpushim të vërtetë” në mënyrë që kjo fushatë të jetë e suksesshme, transmeton Zëri i Amerikës. Fushata e vaksinimit, që pritet të nisë të dielën, është një plan ambicioz në mes […]

Gaza do të fillojë fushatën e vaksinimit kundër poliomielitit
Gaza, Palestinezët që jetojnë në Beit Lahia vazhdojnë jetën e tyre të përditshme mes sulmeve izraelite. Foto: Mahmoud Issa/ Anadolu Agency

Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan të shtunën nisjen e një fushate vaksinimi kundër poliomielitit për 640 mijë fëmijë palestinezë. Mjekët bënë thirrje për një “armëpushim të vërtetë” në mënyrë që kjo fushatë të jetë e suksesshme, transmeton Zëri i Amerikës.

Fushata e vaksinimit, që pritet të nisë të dielën, është një plan ambicioz në mes të luftës që ka shkatërruar sistemin shëndetësor.

Rasti i parë i poliomielitit në Gazë, pas 25 vjetësh, u regjistrua muajin e kaluar. Ai është një fëmijë 10 muajsh, i cili është paralizuar në këmbë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se fakti i paralizës tregon se mund të ketë edhe qindra persona të tjerë që janë infektuar, por që nuk shfaqin simptoma.

Shumë të prekur nga poliomieliti nuk kanë simptoma dhe shërohen brenda rreth një jave. Por në rastet kur nuk merret mjekim dhe poliomieliti shkakton paralizë, ajo është e pakurueshme. Nëse paraliza prek indet dhe muskujt e frymëmarrjes, sëmundja mund të jetë fatale.

Fushata e vaksinimit nuk pritet të jetë e lehtë pasi rrugët e Gazës janë të shkatërruara, spitalet janë dëmtuar rëndë dhe popullsia është zhvendosur edhe në zona të izoluara.

Të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte arritur një marrëveshje me Izraelin për amëpushim ditor me qëllim vaksinimin e një pjese të popullatës.