Hapja e urës në Mitrovicë: Për disa “rritje e tensioneve”, për të tjerët “gjë e mençur”

Ndërsa paralajmërohet hapja e mundshme e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesën jugore dhe veriore, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Lista Serbe, partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, thonë se ura nuk mund […]

Hapja e urës në Mitrovicë: Për disa “rritje e tensioneve”, për të tjerët “gjë e mençur”
hapja-e-ures-ne-mitrovice:-per-disa-“rritje-e-tensioneve”,-per-te-tjeret-“gje-e-mencur”

hapja-e-ures-ne-mitrovice:-per-disa-“rritje-e-tensioneve”,-per-te-tjeret-“gje-e-mencur”

Ndërsa paralajmërohet hapja e mundshme e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesën jugore dhe veriore, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Lista Serbe, partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, thonë se ura nuk mund të hapet pa pëlqimin e komunitetit serb. Por, qytetarët e Mitrovicës janë të ndarë për këtë çështje.

Në seancën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut më 31 maj, gjatë diskutimeve për pikën “të ndryshme”, pritet të flitet edhe për çështjen e zbatimit të vendimit për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin.

Sipas tij, në diskutim do të jetë “situata e sigurisë për hapjen e urës”, e cila që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende.

Aktualisht, kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Uglanin thotë se shumica e këshilltarëve komunalë, aktualisht, nuk janë për “rritjen e tensioneve”, edhe pse, vitin e kaluar, e kanë mbështetur vendimin për hapjen e urës kryesore për trafik.

“Tensionet tashmë janë të larta… Nuk varet më nga Kuvendi Komunal, varet nga organet e sigurisë se si do të veprojnë”, thotë Uglanin.

Sipas tij, është e rëndësishme të krijohet një “klimë paqeje dhe tolerance”, sepse qytetarët e Mitrovicës së Veriut, nga të gjitha komunitetet, “ka vite që jetojnë nën tension”.

Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Në periudhën që ka pasuar, Prishtina zyrtare i ka zëvendësuar pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, kryesisht nga ai shqiptar. Po ashtu, ka mbajtur zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar nga qytetarët serbë – gjë që u ka mundësuar, pastaj, kandidatëve shqiptarë të marrin pushtetin.

Më pas kanë ndodhur edhe disa kriza dhe incidente, përfshirë vrasjen e një polici shqiptar nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri, si dhe pakënaqësinë e popullatës lokale me vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta nxjerrë dinarin serb jashtë përdorimit.

Për hapjen e urës në Mitrovicë foli të enjten për televizionin Teve1 edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani.

Ai tha se ura mbi Ibër “do të hapet shumë shpejt” dhe se është duke u diskutuar me eprorët se si të bëhet kjo.

Elshani nuk deshi të komentonte për këtë çështje për Radion Evropa e Lirë, por tha vetëm se policia e rajonit verior është aty për t’i zbatuar vendimet e institucioneve të Kosovës.

Ai, po ashtu, vlerësoi se situata e sigurisë në veri të Kosovës është “delikate”, por, sipas tij, shumë më e mirë nëse krahasohet me periudhën paraprake.

Lista Serbe: Ura nuk mund të hapet pa pëlqimin e serbëve

Lista Serbe e lidhi hapjen eventuale të urës mbi Ibër me Qeverinë e kryeministrit Kurti.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha përmes një komunikate për media se hapja e urës në Mitrovicë të Veriut për automjete, është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Sipas saj, një veprim i tillë nuk mbështetet as nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët janë shumicë në veri të Kosovës.

Ajo, po ashtu, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse hapja e urës në Mitrovicë të Veriut po shqyrtohet në nivel të institucioneve qendrore, por nuk mori përgjigje./REL