Kosha të përmbysur dhe ulëse të thyera – institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës për sallën e shkatërruar të sportit pranë UKM-së

Që në vitin 2006 studentëve të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) iu premtua një sallë sportive nga më modernet, ndërtimi i të cilës zgjati 11 vjet – deri në vitin 2017. Shtatë vite më vonë salla e ndërtuar ende nuk është lëshuar në përdorim, nuk ka pronar, ndërsa nga Agjencia për Rini dhe Sport […]

Kosha të përmbysur dhe ulëse të thyera – institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës për sallën e shkatërruar të sportit pranë UKM-së
Salla e sportit pranë UKM-së, Foto: Meta.mk

Që në vitin 2006 studentëve të Universitetit “Sh. Kirili dhe Metodi” (UKM) iu premtua një sallë sportive nga më modernet, ndërtimi i të cilës zgjati 11 vjet – deri në vitin 2017. Shtatë vite më vonë salla e ndërtuar ende nuk është lëshuar në përdorim, nuk ka pronar, ndërsa nga Agjencia për Rini dhe Sport (ARS) thonë se për ndërtimin e saj janë shpenzuar 124.205.636 denarë (rreth 2 milionë euro), shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

Ndërtimi i kësaj salle, e cila ka një sipërfaqe prej 6.000 metra katrorë dhe ka 800 ulëse për publikun, është një investim i ARS-së dhe Qeverisë së RMV-së.

Objekti nuk ka sigurim, dera është e mbyllur, por brenda mund të hyhet nëpërmjet dritareve të shumta të thyera. Këtë gjë e bëri edhe redaksia e Meta.mk, ndërsa në brendi të saj gjetëm xhama të thyer, mbeturina, kosha të përmbysur, dyshekë të dëmtuar, madje edhe ulëse të thyera.

Salla e sportit pranë UKM-së/Foto: Meta.mk

Rektorja e UKM-së, Biljana Angellova, thotë se salla e sportit është e domosdoshme për realizimin e lëndës “Sporti dhe shëndeti” për studentët e të gjitha njësive universitare. Ajo do të duhej të ishte një zgjidhje për problemin hapësinor dhe kushtet jodinjitoze në të cilat zhvillohet realizimi i kësaj lënde në universitetin më të madh në vend.

Nuk dihet se kur studentët do të mund ta përdorin sallën

Edhe pse vitet e fundit shpeshherë janë bërë premtime për hapjen e kësaj sallë, rektori i UKM-së thotë se ende nuk dihet se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Nga universiteti thonë se kanë bërë një vlerësim të performancës dhe përputhshmërisë së punimeve të kryera kundrejt atyre të projektuara. Nga atje thonë se sipas dokumentacionit që u është dorëzuar nga Agjencia për Rini dhe Sport, objekti ka mangësi që bien ndesh me kërkesat e ndërtimit dhe se nuk ka pëlqim me shkrim nga autoritetet për pranimin e të gjitha ndryshimeve gjatë ndërtimit.

“Pa u respektuar procedurat ligjore për eliminimin e mangësive dhe për kryerjen e kontrollit teknik, ne nuk mund të supozojmë se kur do të vihet në përdorim”, thotë Angellova.

Mirëpo, nga Agjencia për Rini dhe Sport për Meta.mk thonë se nuk iu është dorëzuar vlerësimi për rikonstruimin nga UKM-ja.

“Shuma e mjeteve për rikonstruimin dhe përfundimin e saj nuk është përcaktuar. Në periudhën e kaluar janë mbajtur një sërë takimesh në të cilat është rënë dakord që ekspertë, profesorë nga UKM-ja të bëjnë një vlerësim dhe një projekt për rikonstruimin e sallës. Projekti dhe vlerësimi ende nuk na është dorëzuar nga Universiteti në mënyrë që ne të dimë se sa mjete nevojiten për ta vënë atë në përdorim”, komentojnë nga ARS dhe shtojnë se pas dorëzimit të vlerësimit, ARS do i sigurojë mjetet e nevojshme.

Ndërkohë që salla po shkatërrohet, topi i përgjegjësisë hidhet nga njëra palë tek tjetra

Sa i përket dëmtimit të sallës, rektorja thotë se tashmë prej vitesh ajo është shënjestër e vandalëve dhe hajdutëve, por edhe se dëmtimet kanë filluar edhe gjatë vetë ndërtimit.

Angellova thekson se sipas Ligjit për Ndërtim, realizuesi është i obliguar të zbatojë masa për mbrojtjen dhe sigurinë e vendndërtimit.

“Dëmtimet u intensifikuan pas fillimit të procedurës së falimentimit të realizuesit “Alkon Projekt” dhe procesit gjyqësor me Agjencinë për Rini dhe Sport. Gjatë ndërtimit të saj kishte një shërbim për ruajtjen e objektit të cilin e realizonte realizuesi i punimeve, dhe në këtë mënyrë kishte njëfarë kontrolli të sigurisë së sallës të paktën gjatë ditës. Sot nuk kemi informacion se kush është pronar i sallës së sportit”, shpjegon ajo.

Në vitin 2013 tenderin për ndërtimin e sallës të shpallur nga ARS e ka fituar kompania “Alkon Projekt”. Por për ecurinë e ndërtimit ato po kalojnë nëpër një proces gjyqësor, ndërsa ARS ishte e detyruar t’i paguajë 810 mijë euro për “Alkon Projekt”.

Kontesti gjyqësor u hap pasi Agjencia për Rini dhe Sport akuzoi se “Alkon Projekt” kanë  ndërtuar me ndryshime që nuk janë miratuar nga projektuesit e projektit bazë dhe investitori. Edhe gjykatat themelore dhe ajo e shkallës së dytë vendosën në favor të “Alkon Projekt”.

“Kompania “Alkon Projekt” fitoi edhe në gjykatat më të ulëta sepse pretendonte se kishte dorëzuar dokumentacion për situatë të përkohshme – listë dhe faturë të gjithçkaje që ishte punuar në një fazë të caktuar të ndërtimit të objektit, ndërsa Agjencia nuk i ka paguar shumën e plotë. Nga Agjencia, nga ana tjetër, thonë se kompania një pjesë të materialit e ka paraqitur në metër kub në vend se në metër katror. Prandaj kanë kërkuar dhe kanë paguar për një situatë të përkohshme të korrigjuar me një shumë më të vogël, me të cilën pretendojnë se ajo paraprakja nuk është më në fuqi”, shkruan 360 gradë në 2020 për këtë rasti.

Më pas, ARS ka dorëzuar në Gjykatën Supreme revizion për aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Gostivarit.

Siç shkruan atëkohë 360 gradë, Gjykata e Lartë ka konsideruar se revizioni ka qenë i bazuar për shkak se aktgjykimi ka qenë i paqartë, si dhe se gjykatat më të ulëta nuk kanë shqyrtuar nëse kontrata në fjalë përmbante dispozita se si do të caktohej vlera përfundimtare e objektit dhe nëse përmbante, si janë sjellë palët kontraktuese.

“Procesi gjyqësor po vijon, tani është në Gjykatën e Lartë. Presim vendimin për të parë se çfarë po ndodh. Diku është më pozitiv, diku më negativ, presim përgjigje nga Gjykata Supreme”, tha për Meta.mk drejtori i ARS-së, Nikollçe Mojsovski, lidhur me rrjedhën e procesit gjyqësor.

Sa i përket dëmit dhe përgjegjësisë për mirëmbajtjen e sallës, ARS thotë se salla është dëmtuar për shkak se pas përfundimit të aktiviteteve ndërtimore nuk ka qenë e lidhur me rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, gjë që është dashur të bëhet nga universiteti.

“Sipas Ligjit për ndërtim, obligimi për ruajtjen dhe sigurimin e vendndërtimit dhe objektit i takon realizuesit të aktiviteteve ndërtimore deri sa objekti t’i dorëzohet investitorit apo shfrytëzuesit përfundimtar të objektit”, thonë nga atje.

Është e qartë se hedhja e fajit nga njëri tek tjetri nuk ndihmon aspak për hapjen e sallës sportit për studentët e UKM-së, ndërkohë që mbetet për tu parë se edhe sa vite do të presim që të funksionojë ky projekt prej 124 milionë denarësh.