MPB-ja dhe Prokuroria dhanë detaje për vrasjen afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup (VIDEO)

Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme dolën sot me detaje për vrasjen e djeshme afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup. Nga Prokuroria njoftojnë se kanë lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës për të dyshuarit, transmeton Portalb.mk. “Pas kallëzimit penal të MPB-së kundër një personi, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër […]

MPB-ja dhe Prokuroria dhanë detaje për vrasjen afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup (VIDEO)
Arrestimi për vrasjen afër qendrës tregtare "Mavrovsja" Shkup. Foto pritscreen nga video e MPB-së

Prokuroria Themelore Publike Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme dolën sot me detaje për vrasjen e djeshme afër qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup. Nga Prokuroria njoftojnë se kanë lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës për të dyshuarit, transmeton Portalb.mk.

“Pas kallëzimit penal të MPB-së kundër një personi, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër të dyshuarit për veprën penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 pika 4, veprën penale- Vrasja nga neni 123 në lidhje me nenin 19 (tentativë) dhe vepra penale – Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve dhe substancave shpërthyese nga neni 396 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal”, njoftojnë nga Prokuroria.

Nga ky institucion sqarojnë se si ka ndodhur e gjithë situata.

“Më datë 20 gusht, me një pistoletë “GLOK” 9 mm, të cilën e posedonte pa leje, i dyshuari me paramendim dhe për përfitim i ka marrë jetën një personi, pas së cilës gruas së viktimës i ka marrë një çantë me laptop dhe është arratisur me veturën Audi pa targa regjistrimi. Në vendngjarje ka mbërritur një automjet i dytë tip “Citroen” me targa belge, nga i cili ka zbritur një person i panjohur dhe ka marrë një kuti me mjete dore nga bagazhi i makinës së viktimës dhe po ashtu është larguar. I dyshuari i dytë ka lënë veturën “Citroen” në Gazi Babë dhe ka hipur në veturën “Audi”, pas së cilës kanë vazhduar të lëvizin, por janë kapur nga zyrtarët policorë në rrugën “Stojna Stefkova”.  Derisa personi tjetër ishte duke vozitur, i dyshuari doli nga dera e pasagjerit dhe hapi zjarr, duke u përpjekur të vriste policët që u përpoqën ta ndalonin. Katër oficerët e policisë në vetëmbrojtje qëlluan disa raketa paralajmëruese në ajër me armët e tyre të shërbimit, më pas e mposhtën dhe e ndaluan të dyshuarin. Tjetri ka ikur dhe po e kërkojnë”, shtojnë nga Prokuroria.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Ndërkohë nga MPB-ja njoftuan se SPB Shkup ka zbardhur plotësisht veprat penale “vrasje” dhe “vrasje e mbetur në tentativë”.

Nga MPB-ja kanë zbuluar inicialet e viktimës dhe autorit.

“Me armë zjarri është vrarë V.E (58). Pas masave të marra dhe reagimit të shpejtë të SPB Shkup, forcave speciale të policisë, helikopterëve dhe dronëve, është kapur dhe privuar nga liria autori i veprave penale E.K (39)”, thonë nga MPB.

Menjëherë më pas, Njësia për Krime të Dhunshme intervistoi dëshmitarë si dhe bastisi shtëpitë në disa lokacione, shqyrtoi video filmimet dhe kreu kontroll të sigurisë së provave fizike si automjete, armë, gëzhoja dhe sende të tjera të sekuestruara. Nga Departamenti i forenzikës pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme është kryer ekspertiza e gëzhojave dhe e armës, me të cilën ekspertiza lidh dy krimet me autorin E.K.

“Pas sigurimit të të gjithë materialit dëshmues, Njësiti për krime të dhunshme – Departamenti për kundërvajtje  dhe seksuale në SPB Shkup në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kundër E.K. ka dorëzuar kallëzim penal me procedurë të shpejtë.

Për personin e dytë që u privua nga liria ditën e djeshme nuk është konstatuar asnjë lidhje me ngjarjen dhe është lënë i lirë, ndërsa po merren masa intensive për gjetjen e një personi tjetër të përfshirë që dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e krimit “Vrasje” .

Ndryshe, dje gjatë orëve të para të mëngjesit ishte gjetur një trup i pajetë në parkingun pranë qendrës tregtare “Mavrovasja” në qendër të Shkupit.

Sipas informacioneve jozyrtare, viktima është Vasil E. Ai thuhet se ishte me anëtarët e familjes për të kryer punët private aty pranë. Dëshmitarët okularë thonë se sulmuesit qëlluan viktimën, morën sende nga makina e tij, duke përfshirë një laptop-kompjuter dhe më pas u larguan me vrap. Si motiv po përmendet një formë zhvatjeje, megjithëse hetimet janë ende në një fazë shumë të hershme.