Narrativa ruse për nisjen e një lufte botërore rikthehet përmes Serbisë

Prej nisjes së luftës në Ukrainë narrtiva e nisjes së një luftë të tretë botërore ka mbajtur “në gjemba” publikun dhe ka “shpërblyer” mediat të cilat kanë përdorur këtë temë delikate për të mbledhur sa më shumë klikime. Mundësia e nisjes së një lufte globale përsëritet prej tre vitesh tashmë nga të njëjtat burime për […]

Narrativa ruse për nisjen e një lufte botërore rikthehet përmes Serbisë
Aleksandar Vuçiq. Burimi i fotografisë: https://vucic.rs

Prej nisjes së luftës në Ukrainë narrtiva e nisjes së një luftë të tretë botërore ka mbajtur “në gjemba” publikun dhe ka “shpërblyer” mediat të cilat kanë përdorur këtë temë delikate për të mbledhur sa më shumë klikime. Mundësia e nisjes së një lufte globale përsëritet prej tre vitesh tashmë nga të njëjtat burime për qëllime politike. Më i fundit ishte rasti i presidentit serb Aleksandar Vuçiç i cili paralajmëroi nisjen e një konflikti global në rast të vijimit të luftës në Ukrainë. Për ekspertët kjo “ringjallje” e tezës vjen nga Vuçiç për t’i shërbyer interesave të tij dhe të Serbisë, si formë presioni ndaj Perëndimit, shkruan Faktoje.

“Bota po shkon drejt katastrofës/ Vuçiç: Lufta në Ukrainë mund të shkaktojë konflikt global”

Ky është titulli i përsëritur nga shumë media në Shqipëri të cilat përsritën me formulën “copy-paste” deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për një televizion serb.

Lajmi u publikua nga mediat shqiptare në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

“Unë mendoj se ne do të kalojmë nga një operacion ushtarak special në një luftë të madhe dhe pyetja është se ku do të jetë vija e kuqe. Ne do të hyjmë në një konflikt global në shkallë të gjerë, të cilin nuk e kemi parë që nga Lufta e Dytë Botërore në një ose dy muajt e ardhshëm”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Sipas tij pozicioni i Serbisë është edhe më serioz pasi Kombet e Bashkuara janë dobësuar nga fuqitë e mëdha, që sipas tij ‘duan gjithçka për veten e tyre dhe de facto kanë shkatërruar rregullin e vendosur nga OKB në dekadat e fundit’.

Vlen të përmendet se deklaratat e Vuçiç vijnë pak kohë pasi asambleja e Kombeve të Bashkuara votoi një rezolutë që njeh genocidin e kryer në Srebrenicë dhe dënon mos-njohjen e saj, gjë që nervozoi Serbinë e cila ishte kundër kësaj rezolute. Por lajmi që “mori dhenë” ishte parashikimi ogurzi i Vuçiç për nisjen e një konflikti global katastrofik për shkak të luftës në Ukrainë, që ka hyrë në vitin e saj të tretë.

Narrativa për nisjen e një lufte globale për shkak luftës në Ukrainë përsëritet prej nisjes së sulmit të paprovokuar të Rusisë ndaj saj. Ajo është “përdorur” thuajse nga të gjitha palët. Rusia, Serbia edhe Ukraina e kanë risjellë këtë tezë në vëmendje si diçka të mundshme, secila për qëllime të ndryshme.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi thekson se arsyeja përse Serbia e rikthen këtë tezë është interesi i tij dhe Serbisë.

Një luftë e tillë mes Rusisë dhe NATO-s do e shpëtonte Serbinë nga detyrimi për të nënshkruar një marrëveshje me Kosovën; mundësia e një fitoreje të mundshme të Rusisë në Ukrainë do i lejonte Republika Srpskas në Bosnje Hercegovinë të shkëputej dhe të bashkohej me Serbinë, dhe do i lejonte Serbisë të rihapte tërësisht çështjen e Kosovës nëse kemi një përplasje të drejtpërdrejtë të Rusisë me NATO-n sepse vëmendja e NATO-s nuk do të ishte më në Kosovë.

Në anën tjetër, për Rusinë teza e shpërthimit të luftës botërore shërben si paralajmërim për mos-ndërhyrje nga Perëndimi.

Për Rusinë mbi të gjitha kjo narrativë shërben si një lloj paralajmërimi për të parandaluar shtetet Perëndimore të ndërhyjnë drejtpërdrejtë në Ukrainë, për t’i treguar Perëndimit që Rusia është e gatshme për një luftë botërore dhe ka dhe aleatët e nevojshëm për një luftë të tillë, kështu që Perëndimi duhet të stepet nga një hap i tillë.” – shpjegon Krisafi.

Si presion ndaj perëndimit, e sheh Agim Nesho edhe përmendjen nga Vuçiç të nisjes së një luftë të tretë botërore, në mënyrë që ato të bëjnë lëshime për projektet e tij nacionaliste dhe rikthimin e dominimit serb në Ballkan.

“Ai e lidh veprimin me Rusinë si një partner për realizimin e projekteve të përbashkëta, si hapësirat ruse dhe hapësirat serbe në Ballkan. Ai bën presion për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, ku pozicioni i ri i Serbisë do të jetë një Serbi e Madhe në linja të pastra etnike.”

Z. Nesho, përfaqësues i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara gjatë viteve 1996-2005 thekson gjithashtu se edhe pse sot në botë ka shumë vatra të konflikteve, mundësia për një luftë të re botërore është end e largët.