Nënsekretarja amerikane viziton rajonin, pas Bosnjës e Serbisë vjen në Kosovë – në agjendë takimi me Osmanin e Kurtin

Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth M. Allen do të udhëtojë për në Ballkan në një vizitë 8-ditore. Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ajo do të shkojë në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nga 12-20 maj “për t’i thelluar partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i avancuar […]

Nënsekretarja amerikane viziton rajonin, pas Bosnjës e Serbisë vjen në Kosovë – në agjendë takimi me Osmanin e Kurtin
nensekretarja-amerikane-viziton-rajonin,-pas-bosnjes-e-serbise-vjen-ne-kosove-–-ne-agjende-takimi-me-osmanin-e-kurtin

nensekretarja-amerikane-viziton-rajonin,-pas-bosnjes-e-serbise-vjen-ne-kosove-–-ne-agjende-takimi-me-osmanin-e-kurtin

Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike, Elizabeth M. Allen do të udhëtojë për në Ballkan në një vizitë 8-ditore.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ajo do të shkojë në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nga 12-20 maj “për t’i thelluar partneritetet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i avancuar qëllimet tona të përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian”.

“Nënsekretarja Allen do të theksojë vlerat themelore demokratike që ndajmë me njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e punës së bashku për t’i mbrojtur shoqëritë e lira dhe të hapura nga ndikimi keqdashës”, njofton Departamenti amerikan i Shtetit.

Në Prishtinë, Kosovë, nënsekretarja Allen do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar “mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin tonë me Kosovën për ta luftuar dezinformimin e huaj dhe ndikimin malinj”, thuhet në njoftim.

“Nënsekretarija Allen do t’i vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqëruajtës të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, njofton DASH-i.

Në Kosovë, ajo “do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Institutin Teknologjik Rochester – Kosovë”.

Njoftohet se ajo do të shkojë edhe në Dresnik të Klinës “për t’i zbuluar mozaikët e kohës romake që arkeologët po restaurojnë falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës”.

Paraprakisht, ajo do të jetë në Beograd, ku siç njofton DASH, do të diskutojë me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq dhe zyrtarë të tjerë serbë për mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve SHBA-Serbi dhe “qëllimin tonë të përbashkët për të përshpejtuar rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE”.

“Për të nënvizuar rëndësinë kritike të lirisë së medias në shoqëritë demokratike, nënsekretarka Allen do të marrë pjesë në një panel diskutimi dhe do të prezantojë çmimet vjetore të Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për gazetarinë hulumtuese. Ajo dhe Kryetarja e Asamblesë Kombëtare Ana Bërnabiq do ta vizitojnë vendin e Qendrës së ardhshme të Burimeve Amerikane (Hapësirës Amerikane) në Lozhionicë, e cila do ta zgjerojë aksesin në artin, kulturën, arsimin dhe burimet e sipërmarrjes amerikane për të rinjtë serbë”, thuhet në njoftim.

“Ajo gjithashtu do të flasë në konferencën vjetore të Shoqatës së Mësuesve të Gjuhës Angleze, rrjeti më i madh kombëtar i mësuesve të gjuhës angleze në Serbi, dhe do ta prezantojë Çmimin Access Impact që nderon fituesin e vitit 2024. Përpara nisjes nga Serbia, nënsekretarja Allen do të udhëtojë në Sjenicë për t’iu drejtuar pjesëmarrësve të Samitit të parë të Programit të Lidershipit të Rinisë Ballkanike (BOLD), një rrjet rajonal i të rinjve që punojnë në angazhimin qytetar dhe projektet e zhvillimit ekonomik për të bërë një ndryshim në komunitetet e tyre”, njofton DASH.

Fillimisht në Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë, Allen do të takohet me studentët që marrin pjesë në programin e Lidershipit, Anglishtes dhe Demokracisë Amerikane (LEAD) të ambasadës për të diskutuar përvojat e tyre në mësimin e anglishtes dhe zhvillimin e projekteve të shërbimit në komunitet që promovojnë vlerat e përbashkëta.

Atje, Allen gjithashtu do ta vizitojë gjithashtu Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, ku do të nderojë viktimat e gjenocidit dhe do të takohet me familjarë.

“Udhëtimi i saj do të nxjerrë në pah se si Shtetet e Bashkuara po punojnë me Bosnje dhe Hercegovinën për të siguruar një të ardhme demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të begatë për të gjithë qytetarët”, njofton DASH.

Së fundi, nënsekretarja Allen do të udhëtojë në Shkup ku do të takohet me “ekspertë të ndikimit të huaj keqdashës”.

“Në respekt të diversitetit kulturor dhe trashëgimisë së pasur të Maqedonisë së Veriut, nënsekretarja Allen do ta vizitojë një forum të lashtë romak në Stobi, ku mbështetja e qeverisë së SHBA përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës ndihmon në ruajtjen e një prej vendeve arkeologjike më të çmuara të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa atje, ajo do të diskutojë me partnerët vendas potencialin e projektit për të zgjeruar më tej zhvillimin ekonomik, turizmin dhe lidhjet mes njerëzve”, thuhet në njoftim./Express