Një burrë vdiq pasi u pickua nga një insekt në Peloponez, numri i rasteve të etheve të Nilit Perëndimor po rritet në Greqi

Një turist grek 48-vjeçar, i cili ndodhej me pushime në Peloponez, ka ndërruar jetë në spitalin e Pirgos pasi është pickuar nga një insekt, raporton televizioni shtetëror ERT. Mjekët besojnë se burri, i cili ankohej për dhimbje në këmbë, mund të jetë pickuar nga ndonjë merimangë. Ndonëse fillimisht ishte stabil, gjendja e tij papritur u […]

Një burrë vdiq pasi u pickua nga një insekt në Peloponez, numri i rasteve të etheve të Nilit Perëndimor po rritet në Greqi
Selanik - Greqi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Një turist grek 48-vjeçar, i cili ndodhej me pushime në Peloponez, ka ndërruar jetë në spitalin e Pirgos pasi është pickuar nga një insekt, raporton televizioni shtetëror ERT. Mjekët besojnë se burri, i cili ankohej për dhimbje në këmbë, mund të jetë pickuar nga ndonjë merimangë.

Ndonëse fillimisht ishte stabil, gjendja e tij papritur u përkeqësua, pas së cilës ai vdiq, raportojnë mediat lokale.

Në të njëjtën kohë, media raporton se ethet e Nilit Perëndimor vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin, ku numri i rasteve të regjistruara në vitin 2024 është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të pesë viteve të mëparshme. Këtë vit ishin 55 të infektuar, nga të cilët 33 në korrik dhe 22 të tjerë në ditët e para të gushtit. Rasti i parë u raportua në fillim të korrikut, ku pacienti shfaqi simptoma të lehta të encefalitit.

Në vitin 2024, tetë persona të moshës 68 deri në 92 vjeç vdiqën nga ky virus dhe 42 pacientë ishin të sëmurë rëndë me simptoma që preknin sistemin nervor qendror. Gjithsej 49 persona të infektuar përfunduan në spital dhe pesë janë ende në kujdes intensiv.

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik paralajmëroi se numri i rasteve mund të rritet në javët në vijim. Më së shumti rastet ishin në Maqedoninë Qendrore dhe ndër rajonet e prekura janë Thesalia, Greqia Perëndimore, Epiri dhe Ishujt Jon.

“Rritja e numrit të rasteve këtë vit vjen si pasojë e dimrit të butë dhe rritjes së aktivitetit të mushkonjave”, tha epidemiologu Dimitrios Paraskevis.