Operacioni Overload: Zbulimi i një Fushate të Madhe Dezinformimi

Një raport i publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah një fushatë të gjerë dezinformimi, të quajtur “Operacioni Overload”, që synon të përhapë propagandën pro-ruse në Perëndim. Kjo fushatë e ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit strategjik të informacionit, përdor platforma të shumta për të përhapur narrativa të rreme. Gjetjet, të bazuara në kërkimet e grupit aktivist […]

Operacioni Overload: Zbulimi i një Fushate të Madhe Dezinformimi
Dezinformata, lajme të rrejshme, fake news. Foto nga S. Hermann & F. Richter/Pixabay

Një raport i publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah një fushatë të gjerë dezinformimi, të quajtur “Operacioni Overload”, që synon të përhapë propagandën pro-ruse në Perëndim. Kjo fushatë e ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit strategjik të informacionit, përdor platforma të shumta për të përhapur narrativa të rreme. Gjetjet, të bazuara në kërkimet e grupit aktivist rus Antibot4Navalny3 në bashkëpunim me AFP, zbulojnë një operacion të sofistikuar që synon të mbingarkojë verifikuesit e fakteve, përfshi edhe Faktoje-n, si dhe organizatat mediatike globalisht, shkruan Faktoje.al.

Jona Plumbi

Një raporti i CheckFirst, kompanisë finlandeze të softuerëve me fokus teknikat e kërkimit në luftën kundër dezinformimit ka ekspozuar një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë të zbatuar përmes platformave të ndryshme, me qëllim përhapjen e propaganës pro-ruse në Perëndim.

Emri i fushatës “Operacioni Overload”  zbulon edhe qëllimin e tij. Në një anë fushata synon të detyrojë verifikuesit e fakteve të shpenzojnë kohë për të përgënjeshtruar të pavërtetat e fabrikuara, dhe në anën tjetër të nxisë përmes tyre përhapjen edhe më tej të këtyre narrativa të rreme.

Koha e dërgesave të mbërritura në postën elektronike të organizatave të verifikimit të fakteve duket në përputhje strategjike me ngjarjet kryesore si protestat e fermerëve evropianë në fillim të vitit 2024. Një shtrirje e tillë sugjeron përpjekje për të maksimizuar ndikimin e informacionit të shpërndarë, duke nxitur rritjen e angazhimit publik dhe fokusin e medias gjatë këtyre kohëve për ndikim të mundshëm ose për të mbjellë përçarje.

Është thelbësore të kuptohet se përmbajtja e konsideruar e rreme e ka origjinën në platformat e mediave sociale ruse dhe përhapet në faqet e internetit dhe bloget në gjuhën ruse, duke përfshirë mediat shtetërore, me qëllimin e qartë për të promovuar axhendën ushtarake të Kremlinit tek audiencat lokale. Raporti nënvizon koordinimin dhe sofistikimin e jashtëzakonshëm të Operacionit Overload. Fushata është ende në vazhdim, duke u zgjeruar në shtrirje dhe duke u zhvilluar.

Teknikat e Përdorura

Operacioni zhvillohet në disa faza:

Krijimi i Përmbajtjes: Narrativa të manipuluara postohen fillimisht në kanalet ruse të Telegram-it dhe faqet e internetit të lidhura me Kremlinin.

Shpërndarja: Më pas përmbajtja e rreme shpërndahet në X (ish-Twitter), duke angazhuar median, institucionet dhe verifikuesit e fakteve.

Fushata e E-maileve: Një fushatë e koordinuar me emaile synon verifikuesit e fakteve, i nxit ata të verifikojnë përmbajtjen e lidhur me Telegram-in, X, ose faqet pro-ruse si Pravda dhe Sputnik.

Fushata dezinformuese përzien lloje dhe formate të ndryshme të përmbajtjes për të krijuar një histori të besueshme, me shumë shtresa. Kjo histori më pas përforcohet strategjikisht nëpër platforma, duke krijuar një ndjenjë të rreme urgjence midis gazetarëve dhe kontrolluesve të fakteve.

Një tjetër taktikë e përdorur është ajo e imitimit të mediave dhe individëve legjitimë dhe shfrytëzimi i ngjarjeve të botës reale. Përmbajtja e shpërndarë (video, imazhe) shënjohet me logot e mediave me reputacion perëndimor ose organizatave të tjera të besueshme, duke u përpjekur të mashtrojnë objektivat për të besuar se ata po aksesojnë informacionin e publikuar nga burime të besueshme.

Faktoje Midis Organizatave të Shënjestruara

Në total, llogaritë e mbi 800 organizatave nga më shumë se 75 vende u vunë në shënjestër nga rrjeti i Operacionit Overload, duke përfshirë mbi 200 llogari që u përkisnin organizatave të kontrollit të fakteve.

Raporti i CheckFirst analizoi mbi 200 emaile të dërguara në më shumë se 20 organizata mediatike për të zbardhur mënyrën si funksionon kjo fushatë. Këto emaile, shpesh duke nxitur marrësit të verifikojnë pretendime të dyshimta, referojnë përmbajtje të manipuluar që synon të mbingarkojë burimet e mediumeve të besueshme të informacionit dhe të promovojë agjendën e Kremlinit.

Ndër organizatat e shënjestruara është edhe Faktoje, organizata shqiptare e verifikimit të fakteve.

Që nga fundi i vitit 2023, Faktoje ka marrë të paktën 24 emaile që nxisin verifikimin e artikujve të ndryshëm, kryesisht atyre që lidhen me luftën në Ukrainë.

Të gjithë referimet janë në gjuhë angleze, madje shpesh edhe emrat e përdorur si dërgues duken se i përkasin qytetarëve amerikanë.

Autorët e këtyre email-eve nxisnin Faktoje-n të verifikojë përmbajtjen e dërguar që supozohet se është gjetur në internet.

Subjekti i emailit shpesh bën thirrje për verifikimin e pretendimetve të përshkruara shkurtimisht në brëndi të mesazhit. Kjo pasohet nga një listë e shkurtër e adresave (link’s) të postimeve në Telegram, X ose faqe të njohura pro-ruse, duke përfshirë Pravda dhe Sputnik.

Narrativat kryesore dhe dezinformimi vizual

Raporti i CheckFirst ka identifukuar pesë tema të ndryshme, të karakterizuara nga fjalë kyçe të përdorura, në emailet e dërguara tek organizatat për t’i verifikuar ato.

Pjesa më e madhe e tyre lidhen me luftën në Ukrainë, ngjarje të momentit që ndodhin në Europë apo shtete të veçanta si Franca apo Gjermania.

Konflikti në Ukrainë: Pjesa më e madhe e përmbajtjes së referuar fokusohet në Ukrainë, përfshirë 92 video dhe shumë grafiti. Këto shpesh përqeshnin Presidentin Zelenskyy, akuzojnë për krime të fabrikuara ukrainasit dhe përsërisin pretendimet për nazizëm të shfrenuar në Ukrainë. Ndihma ushtarake perëndimore në këto pretendime shpesh lidhet me krizat ekonomike në Perëndim.

Ngjarjet Publike në BE: Ngjarje të rëndësishme si Lojërat Olimpike 2024 në Paris dhe Kampionati Evropian i Futbollit UEFA në Gjermani ishin gjithashtu të shënjestruara nga kjo fushatë. Përmbajtja synonte të diskreditonte Francën si vend mikpritës, duke sugjeruar alarm për epidemi të pleshtave ose sulme të mundshme terroriste.

Kriza Ekonomike në Evropë: Kriza e vazhdueshme ekonomike në Evropë ishte një temë tjetër e rëndësishme, me përmbajtje që synonte të mbillte frikë dhe mosbesim në mesin e publikut.

Ky trend vërehet edhe në 24 emailet e dërguar në adresën elektronike të Faktoje. Më shumë se gjysma e tyre (13 emaile) lidhen me luftën në Ukrainë dhe diskretitimin e ushtrisë, popullit apo presidentit ukrainas Volodymir Zelensky. Tema e dytë më e referuar është ajo e lojrave Olimpike dhe politikave në Franë (7 emaile). Pjesa tjetër e informacioneve të fabrikuara të referuara tek Faktoje lidhen me narrativa kundër vendeve si britania e Madhe, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmbajtja vizuale, veçanërisht që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, luan një rol thelbësor në fushatat e dezinformimit. Kërkimet treguan se dezinformimi vizual dhe multimodal përhapet më efektivisht sesa dezinformimi me tekst.

Fushata përdor strategjikisht video dhe imazhe për të rritur besueshmërinë e narrativave të rreme, për të evokuar përgjigje emocionale të forta dhe për të kapur vëmendjen e përdoruesve.

Përfundim

Taktikat e sofistikuara të Operacionit Overload nënvizojnë sfidën në rritje të luftës kundër dezinformimit. Fokusimi kryesor i fushatës në entitete të lidhura me median, veçanërisht gazetarët dhe verifikuesit e fakteve, synon të shterojë burimet e tyre, të krijojë konfuzion dhe të polarizojë opinionin publik. Duke shfrytëzuar ngjarje të mëdha publike dhe kriza reale, fushata amplifikon ankthin dhe mosbesimin publik.

Pjesëmarrja e organizatave si Faktoje tregon shtrirjen globale dhe kërcënimin e vazhdueshëm të përpjekjeve të tilla dezinformuese. Është thelbësore që komuniteti global i verifikimit të fakteve dhe medias të mbetet vigjilent, të zhvillojë masa të fuqishme kundërmasash dhe të vazhdojë të zbulojë këto fushata keqdashëse për të mbrojtur integritetin e ekosistemeve të informacionit.